Trump i rikthehet komenteve për vendet e NATO-s: Nëse nuk paguajnë, nuk i mbrojmë!
Ish-presidenti Donald Trump iu rikthye sërish komenteve për NATO-n. kësaj here ai foli me mbështetësit republikanë gjatë një takimi elektoral në Karolinën e Jugut.
Më 24 shkurt Trump dhe Nikki Haley do të përballen në Karolinën e Jugut për primaret republikane.
Trump kësaj here solli sërish në memorie bisedën me një lider të një vendi anëtar të NATO-s, megjithatë nuk citoi pasazhin kontraversal që ngjalli debat herën e fundit, sipas së cilës Rusia të sulmojë këdo vend anëtar të NATO-s që nuk paguan.
“Shiko, nëse ata nuk paguajnë, ne nuk do t’i mbrojmë. Ok?”, tha Trump.
Referuar një interviste që Vladimir Putin dha në një televizion rus dy ditë më parë ku tha se do të preferonte Biden si presidenti, Trump shtoi: “Putin nuk është fansi im”.
Gjatë fjalimit në Karolinën e Jugut, ish-presidenti nuk kurseu as shigjetimet ndaj rivales së tij në primaret republikane duke e krahasuar me ish-spikeren demokrate të Kongresit Nensi Pelosi.


