Sulm në një kishë në SHBA, një fëmijë 5 vjeç dhe një burrë plagosen rëndë
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Houston të Teksasit në SHBA, ku një kishë është bërë objekt i një sulmi me armë zjarri.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e së djelës, ku një femër rreth të 30-ave, hyri në objektin e kultit Lakewood.
Ajo ishte e armatosur me një pushkë të gjatë, me një çantë shpine në krahë e shoqëruar nga një fëmijë i vogël, 4-5 vjeç.
Sapo hyri brenda, filloi të qëllonte.
Policia reagoi menjëherë ndaj saj duke e lënë të vdekur në vendngjarje.
Pavarësisht kaosit, shefi i policisë së Houston, Troy Finner tha se tragjedia “mund të kishte qenë shumë më keq” nëse dy oficerët nuk do ta kishin ndaluar gruan.
Fatkeqësisht edhe një fëmijë u godit nga plumbat dhe ndodhet në gjendje kritike në spital.
Siç shihet edhe në videot e shpërndara në rrjetet sociale, kisha dhe ndërtesat në afërsi janë evakuuar.
Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, lëshoi një deklaratë duke thënë se “zemrat tona janë me ata të prekur nga të shtënat tragjike të sotme dhe me të gjithë komunitetin e Kishës Lakewood në Hjuston. Vendet e adhurimit janë të shenjta.”
Të shtënat ndodhën mes lutjeve në Kishën që frekuentohet rregullisht nga 45,000 njerëz çdo javë, duke e bërë atë të tretën më të madhe në SHBA, sipas Institutit Hartford për Kërkimet e Fesë.
