Propozimi për divorcin, sociologia Binjaku: Ndryshimet ligjore sjellin konflikte mes çifteve

Një propozim i ri për ndryshimin e Kodit të Familjes, i cili kufizon mundësinë e ndarjes nëse një partner nuk pajtohet, ka ende vend për diskutim. Sociologia Entela Binjaku thotë se ky propozim mund të sjellë më shumë konflikte se sa zgjidhje për çiftet në krizë. Binjaku vlerëson se detyrimi i një personi për të qëndruar në një marrëdhënie pa miratimin e tij ose të saj mund të rezultojë në pasoja të rënda për të ardhmen e tyre.

Në ndryshimet e Kodit Penal kërkohet dënimi i rasteve kur njëri partner detyron tjetrin për divorc.

Sociologët shprehen se kjo mund të sjellë konflikte mes palëve.

Entela Binjaku sugjeron më shumë konsulta mes ekspertëve për të arritur në një përcaktim më të qartë

Sociologia Entela Binjaku: “Rasti në fjalë mendoj se ka nevojë të konsultohet me më shumë aktorë të interesit se sa thjesht me ligjvënës”.

Një nga efektet, sipas Binjakut, do të jetë qëndrimi në një lidhje edhe më të dëmshme.

Sociologia Entela Binjaku: “Në qoftë se situatat në përgjithësi janë problematike ne shtojmë një problematikë të re siç është kjo e mosrespektimit të dëshirës të njërit dhe dhënies prioritet të dëshirës së tjetrit duket sikur krijohet një problem i ri në vend që të zgjidhet një i vjetër.

Pasojat që sjell një ligj i tillë nëse miratohet do të jenë pasoja të natyrës së konflikteve të reja, shtimin e tensioneve në shoqëri, do të ketë debate, të pakënaqur, dhe në fund të fundit nuk është se i jep zgjidhje kësaj situate. Por, ndoshta e mban atë pezull dhe si e tillë implikohen më shumë faktorë”.

Binjaku sugjeron që në ndryshme të merren parasysh liritë dhe integritetin e të gjithë palëve të përfshira.

Kodi i ri Penal është ende në fazën e diskutimit, ndërsa një pjesë e tij ka kaluar për konsultim publik nga Ministria e Drejtësisë.