Votuesit evropianë po rebelohen kundër elitave

Një mikesha ime, ka ndërmend të votojë për Tubimin Kombëtar në zgjedhjet për Parlamentin Evropian që do të mbahen në fillim të qershorit. Në vetvete, kjo nuk është asgjë e pazakontë:

13.2 milionë njerëz votuan për Marine Le Pen në zgjedhjet presidenciale të vitit 2022, dhe 88 kandidatët e saj u zgjodhën më pas deputetë në zgjedhjet parlamentare që u zhvilluan pak javë më vonë.

E pazakontë në rastin e mikeshës time, është se ajo është një franceze me origjinë algjeriane.

Dhe me thotë se nuk përbën një përjashtim në rrethin e saj shoqëror. Ajo më thotë se është paligjshmëria, dhe indiferenca e Emmanuel Macron dhe qeverisë së tij ndaj banditëve, ekstremistëve dhe trafikantëve të drogës, ato që e bëjnë kaq të mjerë jetën kaq shumë familjeve të klasës punëtore në lagjet më të varfra të qyteteve franceze.

Por mbështetja e saj për Tubimin Kombëtar, vjen me një kushtëzim:ajo dhe miqtë e saj myslimanë nuk do të votonin kurrë për Marine Le Pen. Trashëgimia e të atit të saj, Jean-Marie Le Pen, themeluesi i Tubimit Kombëtar (ose siç ishte në fillim Fronti Kombëtar), është ende shumë toksike.


Por Jordan Bardella është ndryshe. Kryetari 28-vjeçar i Tubimit Kombëtar, është kandidat i partisë së tij në zgjedhjet evropiane, dhe është pikërisht ai që e josh edhe mikeshën time. Ashtu si ajo, edhe Bardella vjen nga Seine-Saint-Denis, lagja më e varfër në veri të Parisit. 

Ky është një nga disa faktorët që e avantazhojnë politikanin e ri. Kur ai flet për vështirësitë me të cilat përballen anëtarët e më të pafavorizuar të shoqërisë, ka një origjinalitet që s’mund të krahasohet me nga asnjë rivalët të tij politikë. Bardella u rrit në një apartament modest nga një nënë e divorcuar, një emigrante e ardhur nga Italia. 

Një element tjetër që tërheq elektoratin është mosha e re e Bardella-s. Në një telefonatë të zhvilluar kohët e fundit, një i ri nga Franca Jugore i kërkoi Bardella-s të garojë për president në vitin 2027, pasi ai do të ketë votën e tij dhe të miqve të tij. Të gjithë ata besojnë se ai mund të ringjallë Francën.

Megjithatë, shtoi telefonuesi, duke e vënë në siklet Bardella-n: “Ne votojmë për ju, dhe jo për partinë tuaj, sepse vetëm ju flisni për të rinjtë”. Në listën vjetore të personaliteteve më të njohura franceze, vetëm një politikan u rendit në 50-shen më të mirë në vitin 2023:Bardella u rendit i 30-i.

Retorika e tij prek çështjes e klasës, gjinisë, moshës dhe përkatësis etnike. Edhe një murator në moshë të mesme që po punon në shtëpinë time në Burgundy, është gjithashtu një fans i këtij politikani të ri. Fenomeni Bardella, përbën një problem serioz për elitën franceze.

Emërimi i 34-vjeçarit Gabriel Attal si kryeministër i Francës, konsiderua nga disa analistë si strategjia ‘anti-Bardella’ e Macron. Por a janë që të dy këta pjesë e Brezit të Mijëvjeçarit të Ri? Ideologjikisht janë në pole të ndara, njëri progresist borgjez dhe tjetri ‘populist’ i klasës punëtore, një term që përdoret për cilindo që e sfidon dogmën progresive. 

Por emërimi i Attal si kryeministër, nuk duket se do të ndryshojë qasjen e shumicës së votuesve përpara zgjedhjeve evropiane. Një sondazh i javës së kaluar, raportoi se epërsia e Tubimit Kombëtar ndaj partisë Rilindja e Macron është tani 12 për qind, ose 1.5 për qind më shumë se sa në një sondazh të ngjashëm në fillim të muajit.

Problem për elitën franceze është edhe një frika që kanë centristët e Evropës, qofshin këta politikanë apo gazetarë. Gazeta gjermane “Die Zeit”, botoi kohët e fundit një artikull ku paralajmëronte se Evropa “rrezikon të zhvendoset djathtas në zgjedhjet e qershorit”, një prirje të cilën ajo e shpjegon me “ksenofobisë, euroskepticizmin dhe shfrytëzimin e pakënaqësisë popullore nga këto parti”.

Por në të, nuk jepej asnjë provë për të mbështetur këtë deklaratë. Madje sondazhet tregojnë një histori tjetër. Në Francë, sondazhet nxjerrin fuqinë blerëse dhe rritjen e kostove të jetesës në krye të shqetësimeve kryesore të votuesve të Tubimit Kombëtar. E njëjta gjë vlen edhe për Gjermaninë.

Sigurisht, këto nuk janë çështje për elitën evropiane, e cila s’ka arsye të shqetësohet nëse ka mjaftueshëm para për të arritur deri në fund të muajit. Ekzistojnë disa arsye pse fermerët në mbarë kontinentin kanë nisur protestat masive. Por e përbashkëta midis tyre, është rënia e dukshme të ardhurave në fillim të këtij shekulli.

Gati 1 në 5 fermerë në Francë, jeton nën kufirin e varfërisë. Në vitin 2008, eurozona dhe SHBA-ja kishin PBB të krahasueshme, respektivisht 14.2 trilionë dhe 14.8 trilionë dollarë me çmimet e sotme. Por vitin e kaluar, Prodhimi Bruto i Eurozonës ishte rritur në pak më shumë se 15 trilion dollarë, ndërsa ai e Amerikës arriti në 26.9 trilionë dollarë.

Nëse Franca do të ishte një shtet i SHBA-së, PBB-ja e saj për frymë do ta rendiste atë midis Idahos dhe Arkansasit, përkatësisht në vendin e 48-të dhe të 49-të. Gjermania do të renditej 39-ta, vetëm pas Oklahomës. Këto statistika nuk janë përmendur asnjëherë nga elita evropiane.

Në vend të tyre, njerëz si Ministri i ri i Jashtëm i Francës, Stéphane Séjourné, përdorin frikën, duke paralajmëruar se një votë për të djathtën ekstreme në zgjedhjet e Evropës do ta bëjë Evropën “të pa qeverisshme”.

Por BE-ja mezi po qeveris aktualisht nën koalicionin e saj aktual të partive të qendrës. Ajo është ekonomikisht dhe institucionalisht e paaftë për ta frenuar migracionin e paligjshëm. Javën e kaluar, agjencia kufitare e BE-së Frontex, zbuloi se gjatë vitit të kaluar ka pasur 380.000 hyrje të parregullta në Evropë, një rritje me 17 për qind krahasuar me 2022-shin, dhe numri më i lartë që nga viti 2016. 

Në një intervistë dhënë javës së kaluar për një gazetë gjermane, kreu i Frontex, holandezi Hans Leijtens, e pranoi se Evropa e ka humbur betejën për të mbrojtur kufijtë e saj, dhe njerëzit duhet ta pranojnë këtë fakt. “Diskutimi mbi ndalimin e njerëzve dhe mbylljen e kufijve, nuk mund të jetë gjatë gjithë kohës narrativa jonë. Asgjë nuk mund t’i ndalojë njerëzit që të kalojnë një kufi, mur, gardh, det apo lumë”- tha ai.

Në kushtet e një beteje të humbur, Leijtens shpjegoi se detyra e tij tani është të “arrijë një ekuilibër midis menaxhimit efektiv të kufirit, dhe respektimit të të drejtave themelore të njeriut”.  Ishte një deklaratë tejet i sinqertë nga njeriu i ngarkuar me mbrojtjen e kufijve të Evropës.

Por nga këndvështrimi i BE-së, është ndoshta gjëja jo më e mençur që mund të thuhet vetëm 5 muaj para zgjedhjeve evropiane. Po në lidhje me të drejtat themelore të evropianëve, shumica e të cilëve - siç e zbulojnë rregullisht sondazhet – janë kundër migrimit masiv dhe të pakontrolluar. A nuk vlen vallë zëri i tyre? 

Ndoshta Evropa do të bëhet “e pa qeverisshme” nëse zgjedhjet në qershor do të anojnë nga e djathta ekstreme. Por dhjetëra miliona evropianë, do të preferonin më mirë një BE të pa qeverisshme, sesa një BE që i qeveris ata me një indiferencë arrogante, dhe i lë të varfër dhe në pasiguri.