Zelensky i ‘qahet’ Perëndimit për më shumë ndihma, zyrtarët e tij “zhdukin” 40 mln dollarë armatime!
Që nga nisja e luftës në Ukrainë, ka pasur pretendime nga disa shtete perëndimore se armët të cilat po i furnizohen Kievit, po shiten nga zyrtarët e lartë të ministrisë së Mbrojtjes dhe ushtrisë, me qëllim përfitime personale.
Në muajt e parë të luftës, u fol se disa armë amerikane të dorëzuara Kievit ishin parë duke u përdorur në Afrikë. Kështu lindën dyshimet e para se disa zyrtarë ukrainas, po bënë korrupsion me armët e furnizuara nga Perëndimi. Lidhur me këto pretendime pati dhe një hetim të nisur nga SHBA-ja, por që u mbyll shumë shpejt. Në raportin përfundimtar, thuhej se nuk ishte gjetur asnjë shenjë e armëve të tyre në Afrikë.
Por tani më, Shërbimi ukrainas i Sigurisë ka deklaruar se ka zbuluar korrupsion në një blerje armësh nga ushtria me vlerë rreth 40 milionë dollarë. SBU tha se pesë persona të lartë në ministrinë e mbrojtjes dhe në një furnizues armësh janë vendosur nën hetim.
Ai tha se zyrtarët e mbrojtjes nënshkruan një kontratë për 100,000 predha në gusht 2022. Pagesa u bë paraprakisht me disa fonde të transferuara jashtë vendit, por armët nuk u morën kurrë.
SBU tha se hetimi kishte “ekspozuar” zyrtarë të ministrisë së mbrojtjes dhe menaxherët e furnizuesit të armëve Lviv Arsenal, të cilët vodhën rreth 1.5 miliardë hryvnia në blerjen e predhave.
“Sipas hetimeve, në përvetësim janë përfshirë ish-zyrtarë dhe zyrtarë aktualë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe drejtues të kompanive të lidhura me to. SBU tha se pavarësisht se kontrata për predhat ishte rënë dakord gjashtë muaj pasi Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës, asnjë predhë e vetme nuk u dërgua”, thuhej në raport.
Njoftimi i mashtrimit masiv të prokurimeve, i konfirmuar nga Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës, do të ketë një jehonë të madhe në një vend të rrethuar nga pushtimi gati dy-vjeçar i Rusisë.
Lufta për të çrrënjosur korrupsionin endemik mbetet një çështje kryesore, ndërsa Ukraina vazhdon përpjekjen e saj për të siguruar anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
