BBC: Një listë personash, të lidhur me Jeffrey Epstein, pritet të bëhet publike
Një listë e gjatë e personave të lidhur me Jeffrey Epstein, i akuzuar për ngacmime seksuale, pritet të bëhet publike në ditët në vijim, sipas BBC.
Zbulimet mund të hedhin dritë mbi rrjetin e trafikimit seksual të drejtuar nga Epstein, i cili vdiq në vitin 2019, dhe bashkëpunëtorja e tij Ghislaine Maxwell.
Milioneri pretendohet të ketë bashkëpunuar me figura të profilit të lartë nga bota e politikës, biznesit dhe familjes mbretërore.
Një gjykatës urdhëroi që dokumentet e gjykatës, në një padi të lidhur me Maxwell, duhet të zhvulosen.
Ka 187 përmendje të “J Doe” në dokumentet e gjykatës, dhe shumë prej figurave te ë njohura do të behen të ditura.
Pse po bëhen publike këta emra?
Identitetet po zbulohen në bazë të një padie kundër Maxwell, vajzës së një manjati mediatik britanik.
Ajo po vuan një dënim me 20 vjet burg për krimet që kreu me Epstein.
Padia për shpifje u ngrit nga Virginia Giuffre, një nga akuzueset e Maxwell, dhe në atë kohë emrat mbaheshin sekret nën një vulë të urdhëruar nga gjykata.
Por, muajin e kaluar një gjykatës në Nju Jork vendosi se emrat mund të dalin tani në dritë.
Çfarë tha gjyqtari për emrat?
Gjyqtarja Loretta Preska vuri në dukje se shumë nga individët e përmendur në padi janë identifikuar tashmë publikisht nga media apo në gjyqin penal të Maxwell.
Ajo shtoi se shumë të tjerë nuk ngritën kundërshtime për publikimin e dokumenteve.
“Disa nga emrat në listë do të mbeten të vulosur, duke përfshirë ata që u përkasin fëmijëve viktima”, tha gjyqtarja në vendimin e saj.
Dhe disa individë mund të jenë shfaqur më shumë se një herë nën numra të ndryshëm Doe, kështu që numri i saktë i emrave që do të dalin nuk dihet.
Holly Baltz, redaktore e hetimeve në “Palm Beach Post”, i tha CNN se pritet të zbulohen disa detaje të reja.
“Edhe nëse emrat në listë rezultojnë të jenë tashmë të njohur, një dritë e re mund të hidhet mbi natyrën e saktë të marrëdhënies së tyre me Epstein dhe Maxwell”, tha ajo.
Emrat e kujt mund të jenë në listën e Epstein?
Lista do të përfshijë persona të akuzuar për keqbërje, që ishin dëshmitarë të mundshëm të krimeve.
Mund të ketë punonjës të Epstein ose personave që vizituan shtëpinë e tij ose hipën në aeroplanin e tij privat.
Princi Andrew pritet të jetë në listë. Dokumentet gjyqësore përfshijnë 40 dokumente provash nga një grua që ka ngritur akuza kundër princit.
Johanna Sjoberg pretendon se princi Andrew e kapi te gjoksi ndërsa ishte ulur në një divan brenda apartamentit të Epstein në Manhattan në 2001.
Buckingham Palace tha më parë se akuzat janë kategorisht të pavërteta.
Vitin e kaluar, princi i pagoi miliona dollarë Giuffre për të zgjidhur një padi që ajo ngriti duke pretenduar se ai kishte abuzuar seksualisht me të kur ajo ishte 17 vjeç.
Ai tha se nuk e kishte takuar kurrë Giuffre dhe i mohoi akuzat e saj.
A do të jetë Bill Clinton në listën e Epstein?
“Ish-presidenti amerikan përmendet më shumë se 50 herë në dokumentet e gjykatës”, sipas ABC News. Por nuk ka asnjë nënkuptim për ndonjë paligjshmëri.
Ai udhëtoi me aeroplanin e Epstein në udhëtime humanitare në Afrikë në fillim të viteve 2000 dhe në atë kohë e vlerësoi Epstein si një filantrop të përkushtuar.
Ekipi i Clinton tha më parë se ai ndërpreu lidhjet me Epstein përpara se financuesi të vihej nën hetim. Ata kanë thënë në të kaluarën se ai nuk ishte në dijeni për krimet e Epstein.
“Shumë nga përmendjet e tij në këto dosje gjyqësore lidhen me përpjekjet e pasuksesshme të Giuffre për ta bërë ish-presidentin të dëshmojë për marrëdhënien e tij me Epstein”, tha ABC.
Kush ishte Jeffrey Epstein?
Epstein, një milioner i njohur për lidhjen e tij me figura të profilit të lartë si princi Andrew, vdiq në burg në vitin 2019.
Vdekja e tij, ndërsa priste akuzat federale për trafikim seksual, u gjykua si një vetëvrasje nga eksperti mjekësor i Nju Jorkut.
Ai u akuzua se drejtonte një “rrjet të gjerë” vajzash të mitura për seks. Ai kërkoi pafajësinë.
