Hamasi akuzon Izraelin për vjedhje të organeve nga 80 trupa palestinezë

Zyra e Shtypit e Qeverisë së Gazës, e drejtuar nga Hamasi, akuzon Izraelin për vjedhje të organeve nga 80 trupa palestinezë të kthyer dje në pikën kufitare Kerem Shalom.

Sipas lëvizjes islamike, Izraeli “vodhi dinjitetin e 80 martirëve” duke i kthyer “të gjymtuar”, thuhet në një deklaratë të cituar nga mediat arabe.

“Ekzaminimi i trupave tregon qartë se pushtimi izraelit ua vodhi organet”, thuhet në shënimin e Hamasit, duke pretenduar se nuk është hera e parë që Izraeli “gjymton” trupat palestinezë dhe duke bërë thirrje për një hetim ndërkombëtar të pavarur për incidentin.

Mediat izraelite raportojnë se kufomat e 80 palestinezëve të vrarë në Gaza janë kthyer dhe varrosur në një varr masiv në Rafah, pasi u hoqën nga morgjet dhe varret dhe u dërguan në Izrael për të verifikuar se mes tyre nuk kishte asnjë peng.