Mbi 700 anëtarë të stafit të kompanisë ajrore helmohen gjatë festës së fundvitit

Më shumë se 700 anëtarë të stafit të kompanisë ajrore “Airbus Atlantic” janë helmuar, pasi morën pjesë në festën e fundvitit, sipas autoriteteve shëndetësore të Francës.

BBC raporton se pjesa më e madhe e punonjësve që përfunduan në spital kishin të vjella dhe diarre, ndërkohë, deri tani kompania nuk ka pasur një reagim mbi këtë ngjarje.

“Airbus Atlantic” është një kompani ajrore, degë e gjigantit Airbus, dhe ka më shumë se 15 mijë punonjës në 5 shtete të botës. AFP ka bërë të ditur se një hetim ka nisur menjëherë për shkakun e helmimit masiv nga ushqimi.