Marrëveshja për emigrantët në GJK, Andoni: Që në momentet e para, duhej kërkuar mendimi i Gjykatës Kushtetuese
Analisti, Ben Andoni në një intervistë në Ora News foli për pezullimin që Gjykata Kushtetuese i ka bërë votimit në Kuvend për marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët. Andoni u shpreh se Rama që në momentet e para të marrëveshjes duhej të kërkonte mendimin e gjykatës Kushtetuese.
‘’Më duket që gjykata Kushtetuese në këtë moment po vendos tagrin e saj si institucioni kryesor i cili kontrollon Kushtetutën. Një nga institucionet që ka më tagër në vendin tonë.
Me këtë rast zhbën pak edhe këtë aksionin e ditës së nesërme të opozitës përsa i përket pjesës së marrëveshjes. Mendoj që marrëveshja që në momentet e para kur po ravizohej nëpërmjet Ramës dhe Melonit, në mendimin tim duhej të kërkonte mendimin e gjykatës Kushtetuese.
Për arsyen e vetme se nëse do kishte këtë arsyetim, nëse do kishte logjikën besoj se Rama do të ruante gjithë atë retorikë dhe gjithë atë mënyrë artikulimi që ka bërë ndaj njerëzve që e kanë kundërshtuar.
Mendoj që marrja nga Gjykata Kushtetuese e marrëveshjes Rama-Meloni në një farë mënyre tregon ose më saktë duhet të presim arsyetimin e Kushtetueses’’, tha ndër të tjera Andoni.
