Irani nis gjyqin e diplomatëve të BE-së pas akuzave për spiunazh

Një punonjës i Bashkimit Evropian nga Suedia i akuzuar nga regjimi iranian për spiunazh doli sot në gjyq në Teheran, sipas BE-së dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme suedeze.

“Johan Floderus, 33 vjeç, u arrestua në aeroportin e Teheranit në prill 2022 pasi bëri një udhëtim privat në vend”, sipas raporteve iraniane.

Që atëherë ai është mbajtur në burgun famëkeq “Evin” të Iranit.

“Një diplomat i lartë suedez ishte i pranishëm në gjykatë gjatë procesit, por iu mohua leja për të marrë pjesë”, sipas ministrit të Jashtëm suedez Tobias Billström, i cili tha se vendi ka kërkuar përsëri leje për të qenë i pranishëm kur të rifillojë gjyqi.

“Nuk ka asnjë arsye për të arrestuar Johan Floderus, aq më pak për ta gjykuar. Suedia dhe BE-ja i thanë pa mëdyshje përfaqësuesve të Iranit”, tha Billström në një deklaratë.

Billström tha se zyrtarët suedezë po punojnë intensivisht për të siguruar lirimin e Johan Floderus dhe ata nuk do të dorëzohen derisa Johan Floderus të lirohet dhe të kthehet në shtëpi.

Diplomati i lartë i BE-së, Josep Borrell, të dielën gjithashtu ritheksoi pafajësinë e Johan Floderus, i cili është i burgosur që nga viti 2022, dhe bëri thirrje për lirimin e tij të menjëhershëm.

Sipas BE-së, Floderus ishte së fundmi një anëtar i ekipit të shërbimit të huaj përgjegjës për Afganistanin. Ai ka punuar më parë për komisioneren suedeze të BE-së, Ylva Johansson.

Shërbimi sekret iranian konfirmoi fillimisht arrestimin e Floderus në verën e vitit 2022, por nuk dha asnjë informacion për identitetin e tij.