Rama me anëtarët e bordit: Mbështetje organizimit të Lojërave Olimpike Mesdhetare në Durrës e Prishtinë
Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në pritjen e anëtarëve të Komitetit Olimpik Mesdhetar, që për herë të parë zhvillojnë mbledhjen e Bordit në Shqipëri.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast kryeministri vlerësoi vendimin për organizimin e Lojërave Olpimpike Mesdhetare të vitit 2030 në Durrës e Prishtinë.
“E di që ky vendim nuk ka qenë shumë i lehtë për ju, por ju merrni vendime si njerëz të sportit. Po të ishit njerëz të politikës nuk do të ishte e lehtë ta merrnit këtë vendim”, tha Rama.
Kryeministri u ndal edhe te lëvizja sportive në shkolla, një nismë shumë e rëndësishme për fëmijët e të rinjtë.
“Po bëhet një punë shumë e mirë duke mbështetur edhe nisma shumë të rëndësishme për sportin, kryesisht për federatat tona të reja. Fëmijët tanë tashmë marrin pjesë në lëvizjet olimpike”, tha ai.
Rama theksoi se aktualisht janë më shumë se 10 mijë të rinj të organizuar në shkolla me sportet e basketbollit dhe volejbollit.
“Vitin e ardhshëm numri i disiplinave do të rritet për të siguruar që hap pas hapi të gjithë fëmijët të kenë mundësi të përfshihen në aktivitete sporti. Sporti profesionist është një gjë por sporti për të gjithë është gjë tjetër dhe ky duhet mbështetur”, shtoi kryeministri.
Në këtë drejtim, Rama siguroi se do të bëhen gjithnjë e më shumë përpjekje për nxitjen e aktiviteteve sportive.


