Përpjekja për lirimin e pengjeve, SHBA rinis fluturimet me dron mbi Gaza
SHBA-ja tani ka rifilluar fluturimet me dron mbi Gaza në mbështetje të përpjekjeve të Izraelit për lirimin e pengjeve. Zëdhënësja e Pentagonit, Lisa Lawrence bëri të ditur se SHBA rinisi operacionet pas ndërprerjes ato muajin e kaluar si pjesë e një armëpushimi njëjavor midis Izraelit dhe Hamasit.
“Në mbështetje të përpjekjeve për rikuperimin e pengjeve, SHBA-ja ka rifilluar fluturimet e paarmatosura të UAV-ve mbi Gaza dhe ne vazhdojmë të ofrojmë këshilla dhe ndihmë për të mbështetur partnerin tonë izraelit ndërsa ata punojnë në përpjekjet e tyre për rikuperimin e pengjeve”, tha zëdhënësja e Pentagonit, Lisa Lawrence.
Izraeli dhe SHBA-ja kishin përdorur dronë vëzhgimi mbi Gaza për javë të tëra përpara armëpushimit të përkohshëm midis Izraelit dhe Hamasit.
Qeveria britanike njoftoi të shtunën se do të fillojë gjithashtu të kryejë fluturime vëzhgimi mbi Mesdheun lindor dhe Gaza për të ndihmuar në gjetjen e pengjeve, mes të cilëve edhe shtetas britanikë.
“Aeroplanët e vëzhgimit do të jenë të paarmatosur, nuk do të kenë një rol luftarak dhe do të ngarkohen vetëm për të gjetur pengjet”, thuhet në deklaratën e Mbretërisë së Bashkuar, duke shtuar se “vetëm informacionet në lidhje me shpëtimin e pengjeve do t'u kalohen autoriteteve përkatëse përgjegjëse për shpëtimin e pengjeve. ”
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë të premten se 136 pengje ende mbahen në Gaza, duke përfshirë 17 gra dhe fëmijë.
