Agjencia e OKB-së thotë se Rripi i Gazës tashmë është një nga vendet më të rrezikshme në botë
Situata në Gaza po përkeqësohet çdo minutë me një valë të re refugjatësh në jug të zhvendosur nga bombardimet izraelite. Kështu deklaroi sot agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA).
“Nuk ka zonë ‘të sigurt’, i gjithë Rripi i Gazës është bërë një nga vendet më të rrezikshme në botë. Nuk ka ku të shkohet pasi strehimoret, përfshirë UNRWA , janë të tejmbushura” tha organi i OKB-së në platformë X, shkruan Al Jazeera.
Organizata humanitare Médecins Sans Frontières (Mjekët pa Kufij) bëri thirrje për një fund të menjëhershëm të “sulmeve pa dallim dhe të pamëshirshëm” në Gaza.
“Zhvendosja e dhunshme duhet të ndalet tani. Sulmet ndaj spitaleve dhe personelit mjekësor duhet të ndalen tani. Kufizimet e ndihmës dhe rrethimi duhet të ndalen tani,” shkroi organizata në platformën e mediave sociale X.
