Rikthehet “El Ninjo”, priten çrregullime temperaturash këtë dimër në SHBA dhe Evropë

Fenomeni i motit, “El Ninjo” pritet të rikthehet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me aftësinë që ka për të shkaktuar çrregullime ekstreme të temperaturës, duke ndryshuar përkohësisht stinët.

Edhe pse ai nuk është i rregullt, zakonisht sjell mot më të lagësht dhe më të freskët në jug të SHBA-së, ndërsa veriu bëhet më i thatë dhe më i ngrohtë. Dhe kjo është pikërisht ajo që pritet të ndodhë edhe këtë dimër.

Duke parashikuar pasojat që do të sjellë këtë vit, shkencëtarët e Administratës Kombëtare të Atmosferës kanë nxjerrë një hartë që shënon vendet, të cilat këtë dimër do të mbulohen me reshje bore dhe ato që do të preken nga thatësira.

Konkretisht, pritet që Kalifornia, Nevada dhe Arizona të mbulohen nga dëbora, ndërsa thatësirat do të përjetohen nga vende si: Pensilvania, Nju Jorku dhe Uashingtoni.

Perveç tyre, ekziston dhe rreziku i përmbytjeve dhe i përhapjeve të sëmundjeve si pasojë e thatësirës.

“El Ninjo” rrezikon të prekë edhe vendet e Evropës, edhe pse me mijëra kilometra larg, ky fenomen mund të shkaktojë një dimër më të ftohtë dhe më të lagesht se zakonisht.

Edhe pse këto harta mund të kenë gabime, duke qenë se për një parashikim të saktë duhet të merren parasysh të gjithë faktorët klimaterikë dhe jo vetëm, ato përbëjnë gjithsesi një rëndësi të madhe.