Netanyahu: Asnjë armëpushim në Gaza nëse pengjet e mbajtura nga Hamasi nuk lirohen
Kryeministri Benjamin Netanyahu i tha sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken se Izraeli nuk do të pajtohet me asnjë armëpushim në Gaza, nëse pengjet e mbajtura nga Hamasi nuk lirohen.
“Ne refuzojmë çdo armëpushim që nuk përfshin çlirimin e pengjeve tona”, tha Netanyahu pas takimit me Blinken. Izraeli tha se në Gaza po mbahen peng 249 persona.
Blinken konfirmoi se Uashingtoni qëndron me vendosmëri në krah të aleatit të tij Izraelit, por tha se ndihma në Gaza ishte e pamjaftueshme dhe se civilët duhet të mbroheshin. “Ne duhet të bëjmë më shumë për të mbrojtur civilët palestinezë”, tha më herët Blinken.
Shtëpia e Bardhë, duke përfshirë presidentin Joe Biden, tha se mbështet “pauzat humanitare” në luftën midis Izraelit dhe Hamasit për të lejuar hyrjen e ndihmave dhe daljen e civilëve. Bashkimi Evropian ka bërë thirrje të ngjashme.
Blinken, i cili gjithashtu u takua me presidentin izraelit Isaac Herzog, do të udhëtojë në Jordani pas vizitës në Izrael.
