Konflikti në Lindjen e Mesme/ Qipro nis përgatitjet për të pritur emigrantët
Qipro po përgatitet për të pritur emigrantët për shkak të konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit. Qeveria e Qipros po dyfishon kapacitetin e kampit të tij kryesor të pritjes së emigrantëve ndërsa përgatitet për një fluks potencialisht të madh njerëzish nëse kriza në Izraelin fqinj dhe Gazën përshkallëzohet.
“Kapaciteti aktual i kampit pritës të Pournara në periferi të kryeqytetit, Nikosia, është 1,153 persona. Ajo do të ketë gjithashtu staf të shtuar për të ofruar kujdes për të ardhurit e rinj dhe për të përshpejtuar përpunimin e aplikimit për azil”, tha në një deklaratë Ministri i Brendshëm qipriot, Constantinos Ioannou.
Gati 200 emigrantë mbërritën në Qipro me katër varka të veçanta të shtunën, me gjasë duke u nisur nga Libani, i cili është 108 milje nga bregdeti lindor i vendit. Ujërat territoriale të Qipros po shihen si një rrugë potenciale e kalimit të ndihmave humanitare drejt Gazës.
Edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron vlerësoi javën e shkuar se Qipro mbetet një rrugëzgjidhje përderisa pikëkalimi i Rafah nuk po funksionon me kapacitet të plotë.
Përleshjet e rregullta janë ndezur midis forcave izraelite dhe grupeve të armatosura në Liban që kur lufta midis Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas shpërtheu pas sulmit vdekjeprurës të këtij të fundit më 7 tetor.
