Johnson: Kongresi do të votojë ndihmë të veçantë financiare për Izraelin

Kreu i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan, Mike Johnson deklaroi këtë të dielë se projektligji për financimin e luftës në LindjeN e Mesme do të miratohet këtë javë dhe po merr vëmendjen e menjëhershme të Kongresit.

“Ka shumë gjëra që po ndodhin në mbarë botën që ne duhet t'i adresojmë dhe ne do t'i trajtojmë, por tani, ajo që po ndodh në Izrael merr vëmendjen e menjëhershme dhe unë mendoj se ne duhet ta ndajmë atë dhe ta kalojmë atë.”, tha Mike Johnson.

Kongresi do të kryejë një votim që ndan financimin e luftës në Ukrainë dhe Izrael, edhe pse presidenti Biden kërkoi që paketa të miratohej e plotë.

“Ne do të kemi një projektligj të pavarur për financimin e Izraelit këtë javë në Dhomën e Përfaqësuesve, e di që kolegët tanë republikanë në Senat kanë një masë të ngjashme”, tha Johnson në një intervistë, shkruajnë mediat e huaja, duke shtuar se beson në një mbështetje dypartike për këtë nismë.

Në fillim të këtij muaji, Shtëpia e Bardhë i kërkoi Kongresit të sigurojë më shumë se 105 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën dhe Izraelin, si dhe nevoja të tjera të sigurisë kombëtare. Kërkesa përfshin 61.4 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën dhe 14.3 miliardë dollarë për Izraelin.

Megjithëse shpresat nuk janë shuar ende për Ukrainën, pasi siç është shprehur Johnson, SHBA nuk mund të lejojë që Vladimir Putin të zotërojë Ukrainën. Sipas tij, nëse ndodh një gjë e tillë, kjo do të inkurajonte Kinën që të bënte të njëjtën gjë në Tajvan. Mike Johnson sapo është zgjedhur kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve, pasi një grup senatorësh rrebelë rrëzuan drejtuesin e mëparshëm, duke sjellë bllokimin e saj.