Izrael, ushtria njofton kontrollin e plotë të kufirit të Gazës

Ushtria izraelite tha sot se kishte rimarrë kontrollin e plotë të kufirit me Gazën, pasi militantët e Hamasit shkelën vijën mbrojtëse në fundjavë dhe vranë qindra izraelitë.

Richard Hecht, zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), tha se asnjë militant nuk kishte hyrë nga Rripi i Gazës që nga nata e së hënës, por se mund të ketë ende disa sulmues palestinezë në lëvizje brenda Izraelit.

Ai tha se trupat e 1 500 militantëve janë gjetur deri më tani në territorin izraelit dhe se qindra sulmues të tjerë janë kapur.

Ai paralajmëroi se shkëmbimet e zjarrit që kanë ndodhur në zonat përgjatë kufirit që nga sulmi i papritur i shumëfishtë i Hamasit ndaj Izraelit të shtunën ishin ende duke vazhduar.

Përleshje kanë ndodhur orët e fundit në komunitetet Sa’ad dhe Kissufin në shkretëtirën Negev, pranë Rripit të Gazës.

Izraeli ndërkohë ka vazhduar sulmet e tij ajrore kundër këtij territori.

”Që nga e shtuna, rreth 900 njerëz janë vrarë në Izrael nga luftëtarët e Hamasit dhe më shumë se 2 600 të tjerë janë plagosur”, sipas Ministrisë izraelite të Shëndetësisë.

Izraeli thirri dje nën armë rreth 300 000 rezervistë përpara një pushtimi të mundshëm tokësor të enklavës palestineze.

“Tani jemi duke u përqëndruar në ofensivën tonë në Gaza”, tha Hecht.

”Ajo me të cilën do të përballet Hamasi do të jetë e ashpër dhe e tmerrshme”, tha dje kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.