Tjetër futbollist lë Kosovën për Shqipërinë
Është ky largimi i radhës i lojtarëve nga grupmoshat e reja të Kosovës në drejtim të Shqipërisë.
Në listën e selektorit Alban Bushit është edhe Enis Shabani. Për Shabanin, i cili edicionin e kaluar debutoi në Bundesligë me Mainzin dhe ka luajtur për U19 të Gjermanisë, Kosova kishte shprehur interesim. Shabani është 20-vjeçar dhe luan për ekipin e dytë të Mainzit. Ai vlerësohet shpresë e ekipit gjerman.
“Nuk mungojnë risitë në listën e Kombëtares U-21, teksa për herë të parë trajneri Alban Bushi ka ftuar portierin Brajan Lenja nga skuadra e Luzit, mbrojtësin Brayan Boci (Lecco – Serie B ), mesfushorin Eniss Shabani nga skuadra gjermane Mainz 05 II dhe sulmuesin Dion Berisha (Bayern II)”, shkruan në njoftimin e Federatës Shqiptare të Futbollit.
Shqipëria U21 luan më 13 tetor në udhëtim te Finlanda, ndërsa katër ditë më vonë e pret Malin e Zi.
Bushi për këto ndeshje që i takojnë Grupit E kualifikues, ka ftuar 24 futbollistë, përfshirë edhe Medon Berishën e Adrion Pajazitin, të cilët në të shkuarën kanë luajtur për Kosovën U21.
Shqipëria U21 po synon kualifikikimin në Evropianin e vitit 2025 dhe pas dy ndeshjeve të luajtura deri më tani në këtë cikël eliminator, ka shënuar dy fitore. Me gjashtë pikë të mbledhura i prin grupit.


