E konsideron “personin më me moral në botë"! Kush është avokatja irakiane në anën e Trump?
Ish-presidenti amerikan Donald Trump, u shfaq mes avokatëve të tij të hënën në gjyqin civil në lidhje me mashtrimet e Organizatës Trump.
Edhe pse jashtë sallës së gjyqit nuk mungoi të sulmonte Prokurorin e Përgjithshëm të New York, për të cilin thotë se e ndjek vazhdimisht, Trump brenda sallës së gjyqit ishte mjaft i heshtur.
Në krah të tij ishte Alina Haba, një avokate me një histori interesante dhe prezencë të fortë në rrethin më të gjerë politik të ish-presidentit.
Ajo vjen nga një familje e krishterë që emigroi nga Iraku në vitet 1980 për t’i shpëtuar persekutimit, por ajo vetë ka lindur në SHBA. Babai i saj, Saad Haba, është një gastroenterolog i shquar i njohur gjerësisht për punën e tij. Avokatja 39-vjeçare ka punuar më parë në shtëpinë e modës Marc Jacobs dhe aktualisht mban një pozicion në firmën ligjore Habba Madaio & Associates LLP, me qendër në Bedminster, New Jersey, një zonë ku Trump zotëron një klub golfi.
Ajo thotë në faqen e saj të internetit se “ka përvojë në shumë fusha të procesit gjyqësor”, duke përfshirë shërbimet e korporatave, pasurive të paluajtshme, ndërtimit dhe financiare. Ajo i ka quajtur akuzat ndaj Trumpit “mashtrim dhe ndërhyrje në zgjedhje”, ndërsa për ish-presidentin mendon se është “amerikani më me moral që njeh”.
Ajo ka qenë anëtare e ekipit ligjor të Trump që nga shtatori 2021, duke zëvendësuar avokatët e vjetër si Mark Kasowitz dhe Charles Harder.
Haba, një katolike e vetëshpallur “shumë fetare”, është e martuar dhe nënë e tre fëmijëve, një djali nëntë vjeç, një vajze shtatë vjeç dhe një djali 15 vjeç nga martesa e mëparshme e burrit të saj.
