“Kam pirë ujë të bekuar”, Mourinho: Me Romën kam fituar një trofe e gjysmë
Jose Mourinho në qendër të një specialeje nga ana e “Sky”. Tekniku portugez flet për shumë tema ndërsa cilësoi Championsin e fituar me Porton si arritjen më të madhe të karrierës.
Nga ana tjetër, Jose zbulon edhe se si ndryshon sjelljen dhe zakonet kur rikthehet në vendlindjen e tij, Setubal.
“Jam akuzuar gjithnjë si një person që nuk është mjaftueshëm i përulur, më duhet t’i jap të drejtë atyre që e thonë këtë. Kam shumë arritje në karrierën time, por më e rëndësishmja është ajo me Porton.
Fituam Champions League me nëntë lojtarë portugezë në skuadër dhe dua të kujtoj se shtatë lojtarë nuk kishin luajtur kurrë më parë në Champions.
Por, nuk është vetëm Porto, kam arritje të tjera pasi kam pasur fatin të punoj me klube me buxhet të lartë. Nga ana tjetër, kam punuar edhe në skuadra ku të fitosh konsiderohej një mrekulli.
Kam fituar me Manchester United, me Romën kam fituar një kupë e gjysmë, por kam edhe gjashtë muaj kontratë me italianët. Por, ajo me Porton mbetet e veçantë sepse më hapi dyert dhe më bëri të njohur në të gjithë botën.
Prapaskena nga rikthimi në vendlindje, në Setubal? Kur rikthehem në Setubal, nuk jam Jose, jam thjesht Ze. Dal në xhiro me një xhaketë të thjeshtë, me një bluzë të shëmtuar, njerëzit më përshëndesin dhe më pyesin si jam.
Ndjehesh mirë kur kthehesh në shtëpi.
Kam pasur mundësinë të jetoj në Londër, Madrid, Milano Romë, kam shtëpi në këto vende, por Setubal është Setubali. Ne nuk kemi Fonta di Trevi si në Romë, por kemi diçka tjetër. Një burim nga i cili nëse pi ujë, atëherë konsiderohesh me fat dhe unë kam pirë nga ai burim”, përfundoi Mourinho.
