Armenia: Rreth 85 000 persona largohen nga Nagorni-Karabahu
Rreth 85 000 persona kanë kërkuar strehim në Armeni pas pushtimit të rajonit të diskutueshëm të Nagorni-Karabahut në Kaukazin e Jugut, nga Azerbajxhani.
Zëdhënësja e qeverisë, Nazeli Baghdasaryan tha sot në Jerevan se këta njerëzit ishin detyruar të largoheshin nga banesat e tyre.
Sipas informacioneve zyrtare por të pa verifikueshme, 120 000 armenë të Karabahut jetonin më parë në Nagorni-Karabah.
Azerbajxhani, i cili drejtohet nga një regjim autoritar, mori kontrollin e plotë të rajonit, i cili është kontestuar për dekada, në një ofensivë ushtarake javën e kaluar.
Republika e panjohur e Artsahut, e cila qeveriste Nagorni-Karabahun, më pas kapitulloi dhe këtë javë gjithashtu njoftoi se do të pushonte së ekzistuari nga 1 janari 2024.
Qeveria e Azerbajxhanit dhe Rusia, e cila konsiderohet fuqia mbrojtëse e Armenisë kanë deklaruar se nuk kishte asnjë arsye që njerëzit të iknin.
Megjithatë, armenët e Karabahut i frikësohen persekutimit dhe dhunës nga pala azere.
Ka një dimension fetar të shtuar pasi armenët janë të krishterë ortodoksë, ndërsa Azerbajxhani është vend mysliman.
Në një mbledhje të qeverisë dje në mbrëmje në Jerevan, kryeministri armen Nikol Pashinyan akuzoi vendin fqinj për “spastrim etnik”.
“Analiza e situatës tregon se në ditët në vijim nuk do të mbetet asnjë armen në Nagorni-Karabah”, tha ai.
Sipas burimeve të qeverisë armene, një qendër humanitare për refugjatët është ngritur në afërsi të Nagorni-Karabahut, ku po strehohen njerëzit.


