Konflikti në rajonin Nagorno-Karabakh, 20 viktima dhe qindra të plagosur pas shpërthimit në një depo karburanti
Të paktën 20 njerëz janë vrarë dhe pothuajse 300 janë plagosur në një shpërthim të fuqishëm në një depo karburanti në rajonin e Nagorno-Karabakh, ndërsa mijëra armenë etnikë u larguan nga territori separatist pasi ushtria e Azerbajxhanit mori kontrollin e plotë të tij në një ofensivë të papritur javen e kaluar.
Autoritetet lokale armene thanë se 290 njerëz u shtruan në spitale, dhjetëra prej tyre ende në gjendje kritike pas shpërthimit. Nuk dihet ende shkaku i shpërthimit, raporton "The Guardian".
Ushtria e Azerbajxhanit shkatërroi forcat armene në një sulm 24-orësh javën e kaluar , duke i detyruar autoritetet separatiste të bien dakord për të lënë armët dhe për të filluar bisedimet për “riintegrimin” e Nagorno-Karabakut në Azerbajxhan pas tre dekadash sundimi separatist.
Ndërsa Azerbajxhani është zotuar të respektojë të drejtat e armenëve etnikë në rajon dhe të rivendosë furnizimet pas një bllokade 10-mujore, shumë banorë vendas u frikësuan nga hakmarrja dhe vendosën të largoheshin për në Armeni.
Qeveria armene tha se më shumë se 13,550 banorë të Nagorno-Karabakut kishin mbërritur në Armeni që nga mëngjesi i së martës. Moska tha se paqeruajtësit rusë në Nagorno-Karabakh po ndihmonin evakuimin. Rreth 700 persona mbetën në kampin e paqeruajtësve të hënën mbrëma.
