“Tempulli” - Dosja e bandës në Pogradec që shiste drogën
Një nga lokalet më të njohur të zonës turistike në Pogradec, është kthyer në bazën kryesore të shitjes së kokainës.
Zbulimi i kësaj baze të shitjes së drogës, nga ku furnizoheshin shumë turistë dhe përdorues në Pogradec, është bërë gjatë operacionit “Tempulli” të zhvilluar nga policia dhe prokuroria e Korçës.
Por kjo bazë e shitjes së drogës në Pogradec nuk është e vetmja. Një tjetër grup tjetër mjaft aktiv që tregon kokainë, heroinën dhe hashashin në qendër të qytetit, është ai i Alfons D.
Tregtia e kokainë realizohej në qendër të Pogradecit, pranë hotel “Enkelana”, ku në një episod prokuroria ka provuar shitjen e lëndës narkotike nga Klavio Prishtina tek Renato Musollari.
Në raportin e vëzhgimit në teren Klavio Prishtina, rezulton të jetë pasagjer në automjetin e markës “Range Rover” me targa AA888UM, ndërsa drejtues i këtij mjeti ka qenë, Alfons Demollari.
Në vijim të vëzhgimit, automjeti i mësipërm ka ndaluar te vendi i quajtur “Enkelana”, paralel me automjetin “Mercedes Benz” me targa AA445YV, i cili kishte ndaluar në anë të rrugës, në momentin që “Range Rover”, ka ndaluar një person i cili më pas është identifikuar si Renato Musollari.
Ai është afruar te xhami i parë i automjetit “Range Rover” dhe ka shkëmbyer diçka me pasagjerin Klavio Prishtina, pasi ka marrë sendin nga Klavio, e ka futur në xhep, ka ulur kofanon e mjetit dhe është futur brenda makinës, ku është ulur në sedilje, ndërsa automjeti Range Rover është larguar në drejtim të qytetit të Pogradecit.
Në këtë moment kanë ndërhyrë punonjësit e policisë, të cilët nga kontrolli personal i ushtruar Renato Musollarit, i kanë gjetur një mbështjellje plastmasi, brenda të cilës ka pasur një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë.
Përmes agjentëve të infiltruar, policia ka dokumentuar disa raste të tregtisë së kokainës, ku në këtë aktivitet kriminal janë futur një grup personash me precedentë penalë si Leonard Dervishallari, Erion Bardho, Andrea Barmashi, Marko Ziko, Klavio Prishtina, Dhimitër Buli, Edison Hidri dhe Rudi Shaho.
Ky i fundit është shok i Firdeus Berberit, djalit të “Lilit të Rushkës” i arrestuar në Janinë së bashku me Laert Haxhiun.
Rudi Shaho, është proceduar nga gjykata e Korçës për “Moskallëzim Krimi” dhe “Përkrahje e autorit të krimit”, lidhur me ngjarjen e muajit Prill 2022, ku mbeti i plagosur me armë dhe thikë, Johan Muçllari.
Në dosjen hetimore të operacionit “Tempulli”, jepet një tablo e qartë se si tregtohet kokaina në rrugën “Rinia”, Tushemisht dhe “Kisha e Re” në Pogradec.
Sipas hetimeve Rudi Shaho ka zhvilluar një takim me agjentin e policisë tek vendi i quajtur “Kisha e Re” në qytetin e Pogradecit, momenti i parë i takimit.
Në këtë takim Rudi Shaho është me motor dhe se ka ndodhur në orën 22:31 minuta. Ky takim zgjati rreth një minutë, ku subjekti fillimisht është takuar dhe ka rënë dakord për sasinë dhe çmimin me blerësin e simuluar.
Pas disa minutash personi i autorizuar ka komunikuar përsëri me shtetasin Rudi Shaho dhe pas këtij komunikim ky i fundit ka ardhur përsëri te vendi ku janë takuar herën e parë, të dy personat kanë shkëmbyer diçka me njëri tjetrin dhe më pas janë larguar.
