Rritet numri i vetëvrasjeve nga gratë nën sundimin taliban

Ekspertët e kanë ndërlidhur rritjen e numrit të vetëvrasjeve te gratë në këtë vend me kufizimet e skajshme të sundimit taliban ndaj grave.

Grupi islamist ua ka ndaluar grave arsimimin dhe shumicën e llojeve të punësimit, duke ua pamundësuar çfarëdo roli publik në shoqëri, si dhe ua ka kufizuar lëvizjet dhe mënyrën sesi duken.

Megjithëse nuk ka shifra zyrtare, profesionistët afganë të shëndetit mendor dhe organizatat e huaja kanë theksuar se ka rritje shqetësuese të vetëvrasjeve te gratë në dy vjetët e fundit.

“Sot, shumica e pacientëve që vuajnë nga shëndeti mendor në Afganistan janë gra dhe vajza”, tha një psikiatër në Kabul.

“Nëse i shikojmë gratë të cilat punonin apo studionin në të kaluarën, 90 për qind e tyre tani vuajnë nga problemet e shëndetit mendor. Ato përballen me pasiguri të jashtëzakonshme ekonomike, pasi e kanë humbur punën dhe janë në ankth për të ardhmen e vet”, shtoi ai.

Shumë gra afgane thonë se janë shndërruar në të burgosura në shtëpitë e veta, që kur talibanët e morën pushtetin në dorë.

Shumica dërrmuese e grave janë të papunësuara, dhe shumica e tyre thonë se tani janë plotësisht të pashpresa.

Dhuna ndaj grave, ndërkohë, është rritur dhe militantët i kanë hequr programet e ndihmës ligjore dhe i kanë shfuqizuar gjykatat speciale të përcaktuara për ta luftuar dhunën kundër grave dhe vajzave.

Po ashtu, janë rritur edhe martesat e detyrueshme dhe të hershme të vajzave të mitura nëpër Afganistan. Prindërit po i martojnë vajzat adoleshente për t’i ikur detyrimit për t’i martuar ato me luftëtarët talibanë.

Maryam Saeedi, aktiviste afgane për të drejtat e grave, tha se disa gra e shohin vetëvrasjen si rrugëdalje të vetme për t’i ikur gjendjes së vështirë dhe halleve.

“Ato kryejnë vetëvrasje për t’iu dhënë fund telasheve të veta”,- tha ajo.

Maryam, banore e Kabulit, tha se motra e saj 16-vjeçare ka vuajtur nga depresioni i skajshëm qëkur talibanët ua ndaluan shkollën vajzave nga klasa e gjashtë.

“Motra ime ka vuajtur shumë nga shëndeti mendor. Është e vështirë për vajzat ta përballojnë heqjen e lirive”,- shtoi ajo.

Regjimi taliban ka thënë se 360 njerëz bënë vetëvrasje në vend vitin e kaluar, pa dhënë ndonjë hollësi. Shifrat jozyrtare tregojnë se numri i vetëvrasjeve te gratë është rritur shumë që nga viti 2021, kur edhe ra qeveria afgane e mbështetur nga Perëndimi.

Organizata Botërore e Shëndetësisë zbuloi më 2018 se rreth 2 milionë afganë nga një popullsi prej 40 milionëve, vuanin nga stresi mendor.

“Këto shifra me gjasë janë shumë më të larta sot”, sipas një deklarate më 5 shtator të Aksionit Kundër Urisë, organizatës joqeveritare me bazë në Shtetet e Bashkuara.

Kjo organizatë shtoi se Afganistani po përballet me një “krizë të paparë të shëndetit mendor”.

 Khpalëak,një psikiatër, tha se vendit i mungojnë burimet për ta adresuar atë që e cilësoi si pandemi të shëndetit mendor.

“Numri i pacientëve me telashe me shëndetin mendor po rritet shpejt, por nuk ka tretman të mjaftueshëm për ta. Psikiatret nuk mund të punojnë për shkak të kufizimeve në punën e tyre. Kriza në rritje e sipër e shëndetit mendor duhet të adresohet urgjentisht”,- tha ai.