Vdiq pasi u sëmur nga bajamet, prindërit e 20-vjeçares kërkojnë hetim

Një vajzë 20-vjeçare, e identifikuar me emrin Paraskevi, nga Kiosi në Greqi, ka gjetur vdekjen pasi u diagnostifikua me bajame.

Vajza u nda nga jeta këtë të mërkurë, në Spitalin Universitar të Janinës.

Vdekja e vajzës ka irrituar prindërit, të cilët janë në pritje të autopsisë, pasi dyshojnë se vdekja ka ardhur si pasojë e pakujdesisë së doktorëve.

“Duam të dimë se për çfarë vdiq vajza jonë. Jemi në pritje të rezultateve nga autopsia, e cila ende nuk është bërë. Duhet të jenë bërë gabime dhe vajza jonë e vogël vdiq nga pakujdesia. Nuk mund ta besojmë”, thonë familjarët.

Në Spitalin Universitar të Janinës është urdhëruar një hetim paraprak urgjent lidhur me vdekjen e studentes. Ne kuadër të verifikimeve, do të shqyrtohen edhe gabimet gjatë shtrimit të saj, ndërsa pritet rezultati i ekspertizës mjeko-ligjore.

Vajza u shtrua në Klinikën e Otorinolaringologjisë një javë më parë dhe u diagnostikua me bajame. Ajo u soll nga një mik i cili gjithashtu kishte të njëjtat simptoma, por doli nga spitali pas dy ditësh. Gjendja e saj, megjithatë, në vend që të përmirësohej, u përkeqësua. Ethet e 20-vjeçares kanë vazhduar ndërkohë që sipas burimeve ka pasur dhimbje të forta barku, të cilat i atribuohen gastroenteritit.

 Ajo u intubua dhe më pas u transferua në Repartin e Mjekimit Intensiv të Spitalit Universitar të Janinës ku ndërroi jetë në orët e para të pasdites, edhe pse nuk kishte pasur asnjë problem tjetër shëndetësor, nuk kishte sëmundje kronike dhe asnjë problem në zemër nuk ishte diagnostikuar në të kaluarën.