“Rrugët e Ferrit” të Visar Zhitit, dëshmi e tragjedisë së përjetuar në Spaç nga diktatura komuniste: Sot jemi sërish në burg, në atë të mosmirënjohjes
Visar Zhiti është një nga shkrimtarët më të rëndësishëm shqiptarë dhe nga të paktët që është dënuar nga diktatura e Enver Hoxhës, për shkak të një vepre poetike, të cilësuar si “tepër hermetike, të trishtë dhe për rrjedhojë në kundërshti me normat e realizmit socialist”.
Pas dhjetë vitesh burg dhe pune të rëndë, me rënien e diktaturës, Zhiti pati mundësinë t’i botonte të gjitha veprat e tij, përfshirë edhe poezitë e shkruara fshehurazi gjatë qëndrimit në burg.
Me këtë përshkrim, Instituti Italian i Kulturës njofton takimin e së martës që vjen me Visar Zhitin, një nga autorët më të rëndësishëm të panoramës letrare.
“RRUGËT E FERRIT”, prej pak kohësh është përkthyer dhe botuar në Itali: “Sulle strade dell'inferno. La mia vita nel carcere di Spaç”, si një dëshmi e tragjedisë së përjetuar në heshtje në burgjet e diktaturës së komuniste.
Visar Zhiti jeton prej vitesh në Amerikë dhe mbrëmjen së kësaj të premteje ai ishte i ftuari i moderatores Beti Njuma në studion e lajmeve në “Ora News”, ku rrëfeu disa nga përjetimet e së shkuarës së tij dhe prezantoi projektet e fundit.
Dhe siç ndodh gjithmonë, edhe kjo intervistë nuk do të jetë asnjëherë e mjaftueshme të rrëfehet dhe të kujtohet çfarë ka ndodhur gjatë diktaturës dhe veçanërisht në burgjet komuniste.
“Nga e kaluara duhet të shpëtojmë nga rrëfimi i saj i pafund, por duhet të nxjerrim sa më parë për veten mësimet nga ajo e kaluar.
Unë besoj se kam dalë nga burgu i rrëfimit, edhe Shqipëria vetë mendoj se ka dalë, pavarësisht se ndaj një pjese rëndon në ndërgjegjen e tyre.
Kemi bërë dhe kemi në një lloj burgu tjetër, në atë të mosmirënjohjes dhe në burgun e harresës. Dhe nga burgu në burg, duhet t’ia kujtojmë vetes për të dalë edhe nga ky burg”, u shpreh ndër të tjera, shkrimtari Visar Zhiti.
VISAR ZHITI - HARTA E PËRGJYSMUAR E ATDHEUT
(Qafë-Bari, 8.2.1985)
Ah,
male,
male, male
si varre të mëdhenj
kryengritjesh. Dielli
dhe hëna përsipër-prindër
pleq që digjen prej dhembjes.
Lumenj që ikin. Dhe unë që iki
me erërat e tërbuara të fatit.
Të gjitha fushat e jetës
i kam në një copëz bukë.
Pyll i madh, i errët është
mençuria jonë: me
kafshë dhe vetëtima, plot
gjethe që bien, me zogjtë
që ngrihen në qiejt e së ardhmes.
Arrij në liqene dashurish Shoh dhe shoh
fytyrat e mia të pafundme nëpër dallgë. Bie
më gjunjë dhe pi dritën e syve të lirë.
Iki përsëri. Pa ty s'iki dot. Jam përgjysmë.
Një ishull vetmie, Një shpellë pret shpirtin
tim. Emrin që s'e kam thyer
do ta ndez aty si qiri.
ëndrre. Kudo që të shkoj
(dhe në dete), larg.
gjurmët i lë
në formën
e hartës
së at-
dheut.


