Fabrikat e pijeve freskuese mbeten pa punonjës

Problematika e mprehtë e fuqisë punëtore në të gjithë sektorët e ekonomisë po dëmton shumë edhe biznesin e prodhimit të pijeve freskuese, në kulmin e sezonit turistik.

Pas shtrenjtimit të lartë të kostove me të cilat u përballën vjet prodhuesit e pijeve freskuese që nisën që në kohën e pandemisë e Covid-19 dhe vijuan me luftën Rusi-Ukrainë, shqetësimi më i madh për ta sivjet është mungesa e fuqisë punëtore.

Disa nga kompanitë e mëdha po shohin mundësitë e punësimeve të të huajve, edhe pse fillimisht kanë ngurruar për shkak të problematikës me largimin që janë përballuar biznese të sektorëve të tjerë.

Fabrikat e vogla pohojnë se po ia dalin me vështirësi të prodhojnë pa punëtorë, në një kohë kur si masë për zgjidhjen e problematikës, qeveria deklaron se biznesi duhet të rrisë pagat sa në nivelet e vendeve europiane, ndërsa sipërmarrësit nuk kanë mundësi reale për rritje të lartë.

Kosta Bezhani, administrator i fabrikës së Dropullit që prodhon prej vitit 1992 pijet freskuese të markës “Fresh”, pohoi për “Monitor” se po përballet me mungesë të theksuar të punëtorëve në të gjithë zinxhirin prodhues dhe të shitjes së produkteve.

Z. Bezhani tha se krahasuar me vjet, numri i punëtorëve është reduktuar nga 10 deri në 15%, për shkak të largimit të tyre në emigracion.

“Mungesa e punëtorëve është një nga problematikat kryesore të sektorit që po na dëmton aktivitetin më së shumti këtë vit. Vështirësia te punëtorët po ndihet si në prodhim, edhe në shitje.

Mungojnë punëtorët për prodhim, shitësit, drejtuesit e furgonëve etj. Të gjithë janë larguar në emigracion. Po ia dalim me shumë vështirësi”.

Drejtuesi i fabrikës së pijeve freskuese “Fresh”, z. Bezhani, pohoi se në anën tjetër, është krijuar një situatë e “trazuar” me punëtorët nga premtimet e qeverisë që pagat e tyre do të jenë në nivelet e Europës.

“Ne i kemi rritur pagat e punonjësve, p.sh., paga e një shitësi me furgon është 70 mijë lekë në muaj, por edhe me këtë nivel pagash nuk gjejmë punonjës, pasi parapëlqejnë të jetojnë në emigracion me paga 1,000 euro.

Shumë prej tyre nxiten edhe nga deklaratat e kryeministrit, i cili thotë se bizneset duhet të rrisin pagat e punonjësve sa pagat e punëtorëve në Europë. Pagat në Shqipëri nuk mund të arrijnë në nivelin e vendeve europiane për dy arsye.

Së pari, bizneset nuk kanë mundësi të paguajnë paga me kosto që tejkalojnë të ardhurat e tyre.

Së dyti, një punonjës shqiptar nuk mund të paguhet sa një punonjës në Gjermani apo një në Belgjikë, pasi i mungon rendimenti nga mungesa e arsimimit dhe kualifikimet. Prandaj rritja e pagave nuk mund të bëhet me diregjim nga kryeministri”, pohoi ai.

Shumë biznese kanë parë si zgjidhje për mungesën e fuqisë punëtore punësimet e punëtorëve të huaj. Z. Bezhani pohon se ka qenë ndër bizneset e para që para 15 vitesh punësoi punonjës nga Kina, por për mbajtjen e tyre, kostoja ishte e lartë.

“Është tepër e vështirë të mbash punonjësit e huaj, për shkak të kostos së lartë të pagesës dhe akomodimit të tyre. Ndërsa rendimenti i punonjësve të huaj është më i lartë se ai i shqiptarëve”, thekson ai.

Me mungesën e fuqisë punëtore po përballet edhe një nga prodhuesit më të mëdhenj të markave të huaja të pijeve freskuese si: “Pepsi”, “7 Up”, “Ivi”, “Lipton” që është grupi “Agna”. Drejtues të kompanisë pohuan për “Monitor” se po përballen me problematikën e mungesës së fuqisë punëtore.

“Po studiohet mundësia e marrjes së punonjësve të huaj pavarësisht se situata paraqet rrezik të lartë, ku deri tani ka rezultuar, në shumë raste, se Shqipëria po përdoret, si trampolinë për të kaluar drejt shteteve të tjera”, thanë drejtues të grupit “Agna”.

Për administratorin e fabrikës që prodhon pijen freskuese “American Cola”, Enzo Panteqi, problematika me mungesën e fuqisë punëtore po ndihet si në prodhim, edhe në shitje, pavarësisht rritjes së pagave.

Mungesa e fuqisë punëtore, sipas tij, është ndikuar kryesisht nga emigracioni, ndërsa vihet re se ka një numër kthimesh të të larguarve, por nuk kanë sjellë pasoja te zëvendësimi i atyre që ikin.

Z. Panteqi nuk e sheh punësimin e të huajve si zgjidhje, pasi edhe te shumë biznese të tjera, kjo masë nuk ka funksionuar për shkak të largimeve. Ai sheh si zgjidhje partneritetin mes shtetit dhe sipërmarrësve për lehtësimin e pagesave të kontributeve, me qëllim uljen e kostos.

“Nëse institucionet mendojnë se mungesa e punëtorëve do të zgjidhet vetëm me rritjen e pagës minimale, kjo problematikë nuk do të zgjidhet”, thotë Panteqi.

Ecuria e prodhimit të pijeve freskuese

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në vitin 2021 u prodhuan 80,2 milionë litra pije freskuese. Krahasuar me vitin 2022, prodhimi vendas u rrit me 2,5%. Nga viti 2013 deri në 2016, tendenca e prodhimit ka pasur shtim të lehtë.

Piku i prodhimit është shënuar në vitin 2018 dhe 2021. Prodhimi i vitit 2021 në krahasim me 2013 është rreth 48% më i lartë.

Vjet, kompanitë raportuan se prodhuan më pak se në 2021, pasi konsumi u tkurr nga rritja e çmimeve me 20% dhe largimi i popullsisë.

Për këtë vit, prodhuesit pohojnë se sasia e prodhuar është në të njëjtat nivele të vitit të kaluar.

“Prodhimi është pothuajse në të njëjtin nivel të vitit të kaluar, pasi edhe ecuria e konsumit është e tillë. Krahasuar me vjet, konsumi nuk është në rënie, por as edhe në rritje.

Prisnim më tepër konsum, sidomos në stinën e verës, por për shkak të fillimit me vonesë të sezonit turistik, por edhe emigracionit të popullatës që vijon, nuk është në pritshmëritë tona. Pritet që të ketë përmirësim në javët në vazhdim”, theksuan përfaqësues të grupit “Agna”.

Tendenca e kërkesës së njëjtë me atë të vitit të kaluar pohohet edhe nga dyqanet e vogla të tregtimit të mallrave ushqimore. R.A., pronare e një pike ushqimore pohon se konsumi i pijeve freskuese është në të njëjtat nivele krahasuar me vjet.

Sipas saj, pijet freskuese kërkohen më tepër nga fëmijët sesa moshat e mëdha, ndërsa kërkesa nga të rinjtë është në rënie, për shkak të emigracionit.

Kostot e lëndëve të para, drejt stabilizimit

Vitin e kaluar, të gjithë prodhuesit e pijeve freskuese u përballën me rritje të kostove nga shtrenjtimet e lëndëve të para. Operatorët e mëdhenj prodhues të pijeve freskuese deklaruan vjet se shtrenjtimi i kostove është në nivele rekord mbi 18%.

Rritja më e lartë e çmimeve të lëndëve të para ishte për sheqerin, lëndët ambalazhuese të plastikës, energjinë elektrike, karburantin etj. Rritja e çmimit u ndikua nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Prodhuesit u përballën me rritje çmimesh edhe në pandeminë e Covid-19.

Një ndër prodhuesit e pijeve freskuese Kosta Bezhani thekson se këtë vit kostoja prodhuese është stabilizuar për shkak të uljes së çmimeve të lëndëve të para.

Por ai pohon se prodhuesit vendas nuk po “shpëtojnë” nga kostot e larta, për shkak të rritjes së pagave të punonjësve me qëllim stimulimin e tyre dhe moslargimin drejt emigracionit.

“Krahasuar me vjet po e paguajmë energjinë elektrike më pak krahasuar me vjet, pasi nuk po furnizohemi nga kompanitë private, por direkt nga OSHEE. Çmimi i karburantit krahasuar me vjet është më i ulët, edhe pse niveli aktual sërish mbetet i lartë.

Çmimet e plastikës dhe lëndëve të para janë ulur, pra kostoja prodhuese është stabilizuar. Por, e theksoj sërish, ajo që po na dëmton aktivitetin mbetet mungesa e fuqisë punëtore dhe kostoja e mbajtjes së atyre që kanë mbetur në tregun e punës”.

Vjet, drejtues të kompanisë “Agna” pohuan se u përballën me mbi 25% të shtimit të kostove nga shtrenjtimi i lëndëve, si: sheqeri, plastika, energjia, karburanti dhe rritja e pagave të punonjësve.

Për këtë vit, sipas grupit “Agna”, kostot prodhuese janë stabilizuar nga rënia e çmimit të karburantit dhe plastikës, pavarësisht tendencës në rritje që është shënuar te produkti i sheqerit.

Ndërsa çmimet e shitjes së pijeve freskuese të kësaj kompanie janë 15% më të shtrenjta se vjet nga kostoja e prodhimit.

Për të përballuar rritjen e kostove prodhuese në 2022 deri në 25% më shumë se një vit më parë, operatorët vendas u detyruan të rrisin çmimet për konsumatorin nga 6 deri në 10% për grupin “Agna” dhe 6,5% i rriti çmimet “Coca Cola”.

Përveç shtrenjtimit të lëndëve të para në tregjet e huaja, te shtrenjtimi i kostove prodhuese vjet ndikoi edhe rritja e disa taksave. Me ndryshimet e paketës fiskale u hoq skema e TVSH-së së kreditueshme 6%, u vendos akcizë e gazit 6 lekë/litër, u vendos 10% TVSH-ja tek inputet bujqësore të përjashtuar prej 2018-s.

CEO i kompanisë “Coca Cola” në Shqipëri, Luca Busi, tha vjet për “Monitor” se ndryshimet e shpeshta të taksave mund të kenë vetëm një ndikim negativ në biznes.

“Ndryshimet tatimore duhet të hartohen, të ndahen dhe t’u nënshtrohen konsultimeve me biznesin, një vit përpara hyrjes në fuqi, duke i dhënë kështu realiteteve të biznesit që mbështesin vendin, mundësinë për të fituar njohuri dhe qartësi në lidhje me udhëzimet e funksionimit, duke marrë masat e duhura për të përafruar dhe për t’u pajtuar me ligjet sapo të hyjnë në fuqi”, u shpreh ai.

Rritet importi i pijeve freskuese

Importet e pijeve freskuese vijojnë tendencën në rritje. Në muajt janar-korrik 2023, sipas të dhënave të Doganave, importet u rritën me 7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ndërsa totali vjetor i importeve në 2022 ishte 3% më shumë se vitin paraardhës.

Në Shqipëri, ndër vite, pjesën më të madhe të konsumit e zënë pijet freskuese vendase. Në vitin 2021, pijet freskuese zinin 54% të tregut, kundrejt 47% që ishte pesha e tyre në 2020./ Monitor