Kur xhelozia në çift shndërrohet në një problem

Emocionet dhe ndjenjat përbëjnë arkitekturën e jetës sonë emocionale, dhe janë thelbësore për aktivitetet tona të përditshme. Emocioni i gëzimit ju lejon që të shijoni momente të mira; ashtu si miqësia dhe dashuria ju lejojnë të krijoni lidhje të forta me të dashurit e zemrës.

Edhe ndjeshmëria, pra të qenit në gjendje ta vendosni veten në gjendjen emocionale të një personi tjetër - ndihmon në nxitjen e kohezionit në grup. Për më tepër, emocionet - madje edhe ato negative - luajnë gjithashtu një rol përshtatës dhe mbrojtës.

Frika është një strategji mbijetese. Ajo shërben për ta paralajmëruar një person mbi rreziqet e mundshme me të cilat mund të përballet. Trishtimi është shprehja e pikëllimit, e cila lehtëson dhembshurinë apo mbështetjen emocionale nga të tjerët, kur një person ndihet i mërzitur.

Faji, në masën që shkakton shumë vuajtje, e bën edhe më të vështirë shkeljen e normave etike, dhe kërkon dëmshpërblim kur është kryer diçka e gabuar. Dhe zemërimi ka një efekt energjik, i cili e lehtëson nga ana e tij adoptimin e sjelljeve të përshtatshme për të mbrojtur veten, ose të paktën për t’i bërë të tjerët të vetëdijshëm për shqetësimin e përjetuar.

Edhe xhelozia është një reagim emocional më rrënjë të thella te qeniet njerëzore. Por kjo ndjenjë është më komplekse se të tjerat, pasi përbëhet nga disa emocione (zilia, zemërimi dhe faji) dhe zakonisht përfshin njerëz të tjerë. Ashtu si emocionet e tjera, edhe xhelozia ka një funksion mbrojtës, dhe kjo është ruajtja e stabilitetit të marrëdhënies dhe garantimi, aty ku është e përshtatshme, i kujdesit për pasardhësit.

[Kur shndërrohet në një problem xhelozia në çift]

Kur xhelozia në çift shndërrohet në një problem

Në këtë mënyrë, xhelozia mund të forcojë përpjekjet për të jetuar së bashku dhe të nxisë komunikim më të mirë brenda çiftit, gjë që mund të ndihmojë në parandalimin e tradhtisë ose braktisjes. Xhelozia është e rrënjosur thellë në qeniet njerëzore dhe në kultura të ndryshme.

Në disa kontekste kulturore, xhelozia mund të jetë më shpërthyese në fillimin e saj ose më parësore në shprehjen e saj, por ajo është gjithmonë e pranishme. Besimi tek liria në një marrëdhënie, ku anëtarët kanë partnerë të ndryshëm (siç ndodh tek marrëdhëniet poliamoroze ose të hapura), nuk do të thotë se xhelozia nuk është një problem.

Ajo mund të lindë në një mënyrë pak a shumë delikate, por është gjithmonë shumë e dhimbshme për personin që e përjeton atë. Megjithatë, disa njerëz mund të ndihen thellësisht xhelozë pa asnjë arsye. Kjo lloj xhelozie është problematike.

Është një reagim i shqetësimit të thellë emocional ndaj asaj që perceptohet si një kërcënim i jashtëm, dhe kundër një marrëdhënieje që personi xheloz e konsideron të vlefshme dhe që e sheh si në rrezik. Ky reagim emocional lind nga dashuria e një personi për partnerin e tij, nga ndjenja e zotërimit, dyshimit apo siguria e një rivali, frika e humbjes së partnerit dhe për pasojë nga ndjenja e pafuqisë.

Ajo që e karakterizon këtë xhelozi patologjike është mungesa e provokimit logjik, vuajtja e madhe e përjetuar nga personi xheloz dhe viktima, sjelljet kontrolluese dhe ndikimi i tij serioz në jetën e përditshme. Përtej reagimit emocional, njerëzit xhelozë - si rezultat i pasigurisë së tyre - adoptojnë sjellje të ndryshme vëzhguese, si pyetjet në formë inkuizitore, kontrolli i celularit dhe i rrjeteve sociale të partnerit të tyre, si dhe shfaqjet e papritura në vendin e punës apo vende të tjera ku gjendet partneri në praninë e personave të tjerë.

Po ashtu ata e përdorin shantazhin emocional, dhe besojnë se i lexojnë mendimet e partnerit të tyre, duke supozuar se ata po mendojnë për një person tjetër (tradhtia emocionale). Në raste të tjera, xhelozia mund të jetë edhe retrospektive: personi xheloz mund të dyshojë se partneri i tij apo i saj po e krahason me partnerët e mëparshëm, pasi nuk dëshiron ose nuk mund t’i harrojë ato kujtime.

Kjo bën që marrëdhënia në çift të përkeqësohet me shpejtësi, sepse personi që është xheloz ndihet tejet i poshtëruar. Njëkohësisht ai e dëmton mirëqenien emocionale të partnerit, duke mbjellë dyshime, duke e destabilizuar psikologjikisht dhe duke shfaqur në rastin më të keq, qëndrime dhe sjellje kontrolluese dhe të dhunshme ndaj tij.

Xhelozia është më e zakonshme te meshkujt, sidomos kur partnerët e tyre janë më të rinj, simpatikë, ose kanë arritur sukses profesional ose social që atyre u mungon. Tek meshkujt, xhelozia është e lidhur me zemërimin dhe madje edhe sjelljen agresive. Ndërsa tek femrat xhelozia ka më shumë gjasa të shprehet si trishtim dhe qortim ndaj vetvetes (Çfarë kam bërë gabim? Pse nuk më duket tërheqëse?).

Xhelozia problematike ka shumë burime të mundshme. Në disa raste, bëhet fjalë për një lloj personaliteti xheloz, i karakterizuar nga mosbesimi, vetëvlerësimi i ulët, varësia emocionale, mungesa e miqve dhe burimeve shoqërore, si dhe ndjenjat e mëparshme të neglizhencës ose poshtërimit në jetën e tyre në çift.

Në këto raste, pasi të ketë kaluar tronditja fillestare, xhelozia shfaqet në mënyrë impulsive në formën e sjelljeve kontrolluese që çojnë në fundin e marrëdhënies. Kjo xhelozi ka tendencën të shfaqet përsëri në marrëdhëniet e mëvonshme.

Në raste të tjera, xhelozia patologjike është një pasqyrim i çrregullimeve të ndryshme mendore, siç ndodh me xhelozinë obsesive. Pavarësisht se është i vetëdijshëm për paarsyeshmërinë e dyshimeve të tij, ai nuk mund t’i shmangë ato dhe angazhohet në sjellje mbikëqyrëse që vetëm sa e lehtësojnë përkohësisht shqetësimin e tij, derisa cikli përsëritet.

Ndërkaq, abuzimi me alkoolin mund të shkaktojë xhelozi të fortë, e cila mund të shoqërohet me sjellje të dhunshme. Edhe pse ndodh më rrallë, njerëzit që vuajnë nga çrregullimi deluzional përjetojnë gjithashtu xhelozi.

Kjo është një situatë paradoksale, pasi, ndërsa personi mund të paraqesë arsyetime koherente në jetën e tij të zakonshme dhe të përshtatet me mjedisin e tij, ai ka deluzione të rreme të xhelozisë, të cilat janë patologjike dhe nuk mund të mbështeten nga arsyeja.

Pra nuk është turp të përjetoni periudha kur jeni xhelozë, pasi kjo mund të jetë një shenjë e rëndësishme e dashurisë, por edhe e frikës se mos e humbni një njeri shumë të rëndësishëm për ju. Është një emocion që duhet pranuar dhe kanalizuar siç duhet.

Por është diçka krejtësisht tjetër kur xhelozia e pengon lirinë, fokusohet te sjelljet kontrolluese, parandalon përjetimin e dashurisë dhe madje shkakton sjellje të dhunshme. Llojet e personalitetit xheloz janë shumë rezistentë ndaj ndryshimit të sjelljes së tyre. Megjithatë, xhelozia patologjike mund të zhduket nëse personi i prekur i nënshtrohet trajtimit të duhur.