“Ukraina duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës”, deputeti ukrainas reagon pas takimit Zelensky-Vuçiç në Athinë

Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko ka komentuar takimin e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky me presidentin serb Aleksandar Vuçiç në Athinë. 

Goncharenko, deklaroi sot se Ukraina duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Këto komente ai i bëri përmes një postimi në platformën “X”, derisa tha se Serbia është aleate e Rusisë dhe se Ukraina nuk mund ta tërheq në anën e saj. “Zelensky u takua me Presidentin e Serbisë. Serbia është aleate e Rusisë. Ne nuk do të mund ta tërheqim Serbinë në anën tonë.

Dhe kjo nuk është për shkak se ne jemi shumë të këqij, por sepse popullsia e Serbisë mbështet Rusinë në një shumicë të pabesueshme. A duhet të takohemi atëherë? Po sigurisht. A duhet të kompromentojmë parimet tona? Jo. Ukraina duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar ai.