Parlamenti spanjoll mblidhet për herë të parë pas zgjedhjeve jopërfundimtare

Parlamenti i ri i Spanjës u mblodh sot për herë të parë që nga zgjedhjet jopërfundimtare në korrik, për të zgjedhur një kryetar të ri përpara se partitë politike të Madridit të hyjnë në një fazë kritike në formimin e qeverisë së ardhshme.

Kandidatja më premtuese për pozicionin me ndikim është Francina Armengol, ish-udhëheqësja e rajonit të Ishujve Balearik.

Ajo është anëtare e Partisë Socialiste të Punëtorëve (PSOE) e kryeministrit në detyrë Pedro Sánchez dhe ka marrë mbështetjen e disa ligjvënësve në parti të tjera.

Votimi në parlament për kryesinë shihet si një provë e mbështetjes për Sánchez, dhe një pararojë e negociatave që do të vijojnë javën e ardhshme, ndërsa mbreti Felipe VI pritet të zhvillojë konsultime me partitë dhe ngarkojë dikë që të formojë një qeveri.

As Sánchez dhe as udhëheqësi konservator i opozitës Alberto Núñez Feijóo nuk e kanë të lehtë për të marrë mbështetjen e nevojshme nga të paktën 176 anëtarë të Dhomës së Ulët.

Partia Popullore (PP) e Feijóo-s fitoi  zgjedhjet e 23 korrikut si forca politike më e fortë, por me 137 mandate nuk i përmbush pritshmëritë.

Partneri i tij i mundshëm i koalicionit, populisti i djathtë i Vox, gjithashtu humbi 19 vende dhe tani ka vetëm 33.

Sánchez, i cili u bë kryeministër në vitin 2018, mund të ketë sukses në formimin e një qeverie të re nëse, së bashku me partitë e tjera rajonale, ai do të arrijë një marrëveshje me partinë Junts, të liderit separatist katalanas Carles Puigdemont, i cili jeton në mërgim në Bruksel.

Junts, ka kërkuar një referendum për pavarësinë për Katalonjën, të cilin Sánchez ka të ngjarë ta refuzojë. Nëse as Sánchez dhe as Feijóo nuk arrijnë të formojnë një qeveri, do të duhet të zhvillohen zgjedhje të tjera në fund të vitit, ose në fillim të vitit të ardhshëm.