BE dënon vrasjen e kandidatit për president në Ekuador

Bashkimi Evropian dënon me shprehjet më të forta vrasjen e kandidatit për president Fernando Villavicencio.

“Ky akt tragjik dhune është gjithashtu një sulm kundër institucioneve dhe demokracisë në Ekuador, tha në një deklaratë shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell .

“BE shpreh solidaritetin e saj me qeverinë dhe popullin ekuadorian, në veçanti me familjen e zotit Villavicencio, në këtë kohë të vështirë. Autorët dhe organizatorët e këtij krimi të tmerrshëm duhet të sillen para drejtësisë,” tha ai, duke shtuar se masa të forta mbrojtjeje të të gjithë kandidatët elektoral “janë vendimtare për të siguruar një proces zgjedhor të lirë demokratik.”

Borrell konfirmoi angazhimin e plotë të BE-së për të mbështetur demokracinë ekuadoriane dhe për të ndihmuar përpjekjet për të siguruar zgjedhje paqësore demokratike.

“Një mision ekspertësh zgjedhor të BE-së është aktualisht në Ekuador dhe ndjek nga afër procesin zgjedhor. BE-ja qëndron me Ekuadorin në luftën e saj kundër përkeqësimit të dhunës nga krimi i organizuar dhe do të vazhdojë bashkëpunimin e saj me autoritetet ekuadoriane për të adresuar këtë sfidë të madhe,” tha Borrell.