Situata në Kosovë, Veliu: Duhet presion nga ana e BE-së për Serbinë, Kurti ka bërë gabime
Prej muajsh në Kosovë ka pasur zhvillime, reagime dhe vendime në kuadër të shtensionimit të marrëdhënies Kosovë-Serbi.
Dhe gjithçka që i hodhi benzinë zjarrit të tensioneve ishin zgjedhjet në Veri të Kosovës dhe marrjen e 4 komunave me shumicë serbe nga drejtues shqiptarë.
Dhe pas kësaj masat dhe ultimatumet ndaj qeverisë kosovare dhe kryeministrit Kurti nuk kanë munguar nga partnerët ndërkombëtarë.
Për të kuptuar më shumë nga kjo situatë Lulzim Veliu, analist dhe studiues i çështjeve rajonale i ftuar në Ora News deklaroi se është i nevojshëm një presion i BE për Serbinë ndërsa sa i takon vendimeve të Kurtit, ai u shpreh se ka patur gabime nga qeveria që kanë çuar deri në këtë situatë.
"BE është i detyruar ta detyrojë Serbinë, se shumica e listës serbe është në dorën e presidentin serb Vuçiç dhe në këtë mënyrë mund të bëhet presion që në zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen në 4 komunat në veri të Kosovës që ata detyrimisht të jenë pjesë e procesit zgjedhor," tha ai.
Sa i takon deklaratave të Kurtit për shtensionim të situatës ai deklaroi se duhet të ketë një shtensionim të situatës e të shkojnë drejt zgjedhjeve të reja për të formuar institucionet e reja.
"Unë jam i prirur në këtë rast të besoj dhe shpresoj se një gjë e tillë duhet të ndodhë pasi është në interesin e Kosovës. Kurti apo qeveria e Kosovës kanë bërë mjaft gabime deri tani, gabimet e tyre na kanë sjellë në situatën në të cilën është Kosova sot. Ka qënë e mundur që të gjitha këto të evitohen dhe të mos dalin jashtë institucioneve, por ja që kanë ndodhur gjëra të tilla dhe ne duhet të shohim para e në mënyrë që sa më shpejt të bëhen ato zgjedhje e të kemi institucionet e reja," tha ai.