Xhaçka: Presim mbajtjen e Konferencës së Dytë Ndërqeveritare deri në fund të vitit

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka deklaroi sot se, procesi i integrimit duhet të përshpejtohet për të fituar kohën e humbur.

Në fjalën e saj në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, Xhaçka u shpreh se, “Shqipëria po përjeton një rienergjizim të procesit të integrimit dhe një vëmendje të re të institucioneve evropiane, e shoqëruar me arritje të qenësishme, të cilat janë të prekshme për të gjithë”.

“Ne e përshëndesim angazhimin e BE-së me një qasje të re ndaj rajonit tonë dhe avancimit drejt anëtarësimit në BE. Është kuptuar se procesi ka nevojë të përshpejtohet për të fituar kohën e humbur, ka energji të reja, prani të shtuar, dhe një qasje gjithmonë e më praktike në marrjen e përfitimeve të anëtarësimit në BE, shumë më përpara anëtarësimit, në politika e programe sektoriale, sigurisht duke arritur standardet e kërkuara”, tha Xhaçka.

“Jam krenare të vë në dukje se institucionet e BE-së kanë vlerësuar e vlerësojnë seriozitetin dhe përkushtimin tonë për procesin dhe linjëzimin e plotë me vlerat dhe parimet e BE në politikën tonë të brendshme e të jashtme, në rajon e ndërkombëtarisht”, nënvizoi Xhaçka.

“Procesi i anëtarësimit në BE është projekt i përbashkët i shoqërisë sonë ku, si askund tjetër, janë të angazhuar të gjithë aktorët e faktorët politikë e shoqërorë. Pra për ne, procesi i integrimit është më shumë se një objektiv institucional. Ai është një objektiv kombëtar, për arritjen e së cilit ne nuk do të rreshtim së punuari”, shtoi Xhaçka.

“Ecuria njëvjeçare e Shqipërisë, që nga hapja e negociatave për anëtarësimin në BE, është më shumë se e kënaqshme. Procesi screening po vazhdon dhe kemi marrë vlerësime pozitive për përgatitjen dhe angazhimin e delegacioneve tona për të marrë përsipër detyrimet që sjell procesi i negociatave”, tha Xhaçka.

Ministrja u shpreh se, “jemi në pritje për organizimin e konferencës së radhës ndërqeveritare për hapjen e grupimit të kapitujve themelorë të negocimit, pas miratimit nga Këshilli të Raportit Screening të Komisionit, me synimin që kjo të ndodhë deri në fund të këtij viti”.

“Jemi bërë pjesë e paketës së mbështetjes financiare të BE, kryesisht për mbulimin e nevojave në kuadër të krizës energjetike të ardhur si pasojë e agresionit rus ndaj Ukrainës. Po zbatojmë Planin Ekonomik e të Investimeve të Komisionit për Ballkanin Perëndimor, me projekte strategjike në fusha prioritare si energjia, mjedisi, klima. Jemi pjesë e diskutimeve me Komisionin për të jetësuar projektin e Paketës së Rritjes Ekonomike që shpalli Presidentja e Komisionit Evropian”, theksoi Xhaçka.

“Avancimi me procesin e anëtarësimit është me rëndësi jetike për vendin tonë, sepse për anëtarësimin në BE jemi të vendosur në unitet si komb e shoqëri; sepse anëtarësimi është një faktor përcaktues në suksesin e vendit përmes reformave të gjithanshme e në gjitha fushat; sepse është rruga e vetme që kanë zgjedhur shqiptarët; sepse përmes saj sigurojmë zhvillimin dhe konsolidojmë partneritetin me aleatët tanë progresistë perëndimorë; sepse është rruga më e mirë për të qenë larg influencave të aktorëve të tjerë, që kërkojnë të gjejnë hapësira për rritjen e ndikimit të tyre në rajon; sepse kjo rrugë na mbron edhe nga pasiguritë e sfidat e kohës, të cilat janë shtuar dhe intensifikuar në disa drejtime, dhe të cilat Shqipëria nuk mund t’i përballojë e vetme”, tha Xhaçka.