Policia izraelite paralajmëron kundërshtarët e Reformës në Drejtësi: Zero tolerancë ndaj bllokimit të rrugëve
Policia izraelite thotë se do të ketë “tolerancë zero” për bllokimin e rrugëve gjatë protestave kundër reformës në drejtësi të propozuar nga qeveria Netanjahu. Paralajmërimi vjen në prag të një tubimi të planifikuar pranë aeroportit të Tel Avivit
“Respektojmë të drejtën e protestës, por zero tolerancë ndaj bllokimit të rrugëve!”
Ky është urdhëri që ka marrë policia e Izraelit ndërsa lëvizja kundër reformës në sistemin gjyqësor të propozuar nga qeveria Netanjahu ka paralajmëruar një tubim të hënën pranë Ben Gurion në Tel Aviv.
Zëdhënësi i Policisë, Ely Levy, në një intervistë theksoi se protestat nuk mund të kufizojnë lëvizjen e lirë të njerëzve
"Të gjithë e kuptojnë - shtoi ai - se në raste të tilla është e nevojshme të sigurohet që rrugët e hyrjes të mbahen të qarta për të lejuar kalimin e automjeteve të urgjencës".
Policia izraelite ka bërë të qartë se do të parandalojë qoftë edhe me forcë cdo tentativë për bllokimin e qarkullimit në aeroportin Ben Gurion.
Makinat që pengojnë qarkullimin do të zhvendosen dhe pronarët do të gjobiten.
Numri maksimal i demonstruesve është përcaktuar nga policia në 5000, të cilët do të duhet të qëndrojnë në zonën e paracaktuar.
Organizatorët e protestës që vijon prej 26 javësh iu përgjigjën policisë me një deklaratë.
"Është e drejta e qytetarëve të protestojnë kudo kundër diktatura, dhe pikërisht kjo do të ndodhë Do të jetë një protestë demokratike, jo e dhunshme, për të bllokuar synimet diktatoriale të qeverisë izraelite”, thuhej në qëndrimin e protestuesve.
Ata kundërshtojnë reformën në sistemin e drejtësisë të paraqitur nga qeveria, pasi thonë se përmes saj Kryeministri Benjamin Netanyahu synon të forcojë kontrollin mbi Gjykatën e Lartë.
Për shkak të protestave, Kryeministri Netanjaju vendosi në fund të marsit të shtynte miratimin e ndryshimeve në sistemin e drejtësisë, por tashmë drafti i kundërshtuar është rikthyer për miratim.
