Kiko mediton për pesimistët dhe optimistët e Shqipërisë

Ndërkohë që po numëronte turistët e huaj në Sarandë, Kiko po mendonte për pesimistët dhe optimistët e Shqipërisë.

Në këtë vend njerëzit shohin bardh e zi! Mungon pjesa gri! Këtu ose duhen për vdekje ose urrehen për vdekje. Mungon pjesa racionale.

Si mundet që njerëzit të shohin vetëm zi?!

Pse shohin vetëm anët negative?

Është e vërtetë se në Shqipëri

Është ulur numri i lindjeve

Është ulur numri i banorëve

Është ulur numri i nxënësve

Është ulur numri i studentëve

Është ulur numri i shkollave

Është ulur numri i mjekëve

Është ulur çmimi i kg të kanabisit

Është ulur importi i cigareve

Është ulur çmimi i kokainës

Është ulur numri i gjykatave dhe prokurorive

Por duhen parë edhe rritjet dhe arritjet e vendit.

Pse nuk shohin edhe këndvështrimin e optimistet që shohin (a)rritjet e mëdha në Shqipëri?

Është rritur çmimi apartamenteve

Është rritur çmimi frutave dhe ushqimeve

Është rritur importi i bananeve

Është rritur numri i burgjeve

Është rritur numri i pensionistëve që punojnë

Është rritur numri i punonjësve të huaj

Është rritur numri i pjesëmarrësve në kurset e gjermanishtes

Është rritur numri i investitorëve strategjikë.

Janë rritur taksat

Dhe mbi të gjitha…

Është rritur rroga e zyrtarëve dhe deputetëve! Është dyfishuar paga e patronazhistëve!
Pra vendi ka zhvillim të ekuilibruar diku me ulje e diku me rritje. E tillë është jeta!

Një turist që po mbllaçiste banane pyet Kikon për dallimin mes pesimistëve dhe optimistëve në Shqipëri.

Pesimistët në Shqipërisë, iu përgjigj Kiko, thonë se nuk ka ku shkon më keq, por optimistet mendojnë të kundërtën, ata thonë se ka ku shkon edhe më keq!