Lula: Marrëveshja BE-Mercosur nuk është e mundur pas kërkesave shtesë të bllokut

Presidenti brazilian, Luiz Inácio Lula da Silva ka kritikuar kërkesat shtesë nga Bashkimi Evropian si një duke i cilësuar ato si një “kërcënim” për marrëveshjen e planifikuar të tregtisë së lirë me aleancën ekonomike të Amerikës së Jugut “Mercosur”.

“Mezi pres të përfundojmë marrëveshjen me Bashkimin Evropian. Por kjo nuk është e mundur sepse deklarata plotësuese e BE-së nuk lejon një marrëveshje”, tha Lula në një samit financiar në Paris.

“Nuk mund të ndodhë që ne kemi një partneritet strategjik dhe tani është paraqitur një deklaratë shtesë që kërcënon një partner strategjik”, shtoi ai.

Për të qetësuar kritikët në Evropë, BE-ja paraqiti së fundmi një propozim për një marrëveshje shtesë që do të mbronte më mirë mjedisin, klimën dhe të drejtat e njeriut.

Marrëveshja e tregtisë së lirë BE-Mercosur është pezulluar që nga përfundimi i negociatave në 2019.

“Mercosur” përfshin Brazilin, Argjentinën, Uruguain dhe Paraguajin.

Traktati do të krijonte zonën më të madhe të tregtisë së lirë në botë me 780 milionë njerëz.

Qëllimi i tij kryesor është të ulë tarifat dhe në këtë mënyrë të nxisë tregtinë.

Marrëveshja ende duhet të ratifikohet nga të gjitha shtetet anëtare.

Megjithatë, ajo është e diskutueshme në Amerikën e Jugut, si dhe në Evropë.

Disa vende duan të mbrojnë tregjet e tyre, të tjera kanë frikë nga zbutja e standardeve të punës ose mjedisit.

Gjatë një udhëtimi në Amerikën e Jugut javën e kaluar, presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen bëri thirrje që marrëveshja e tregtisë së lirë të zbatohet sa më shpejt të jetë e mundur.