Pas 40 vitesh investime në politikën botërore, George Soros i trashëgon të birit ‘fronin’ e perandorisë së tij

Miliarderi dhe filantropisti amerikan George Soros po ia kalon kontrollin e perandorisë së tij djalit të vetë Alexander Soros, shqetësimi kryesor i të cilit do të jetë lufta kundër mundësisë së rikthimit të Donald Trump në pushtet, sipas Wall Street Journal (WSJ).

Një dele e zezë e konservatorëve ekstremë dhe një objektiv i sulmeve antisemite, George Soros filloi në vitet 1980 krijimin e një rrjeti fondacionesh (Fondacionet e shoqërisë së hapur” ose OSF) që investon në mbarë botën për të mbështetur një sërë kauzash, nga reforma në ekonomi dhe drejtësi për të drejtat e minoriteteve dhe refugjatëve dhe lirinë e shprehjes. Në moshën 92-vjeçare, ai vendosi t’ia dorëzonte frenat njërit prej djemve të tij, Aleksandrit 37-vjeçar.

Në një intervistë të botuar sot në Wall Street Journal, pasardhësi i George Soros shpjegon se ai është “më politik” se babai i tij dhe se shqetësohet për idenë që Donald Trump mund të rizgjidhet në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024.

“Do të doja që me paratë të luaja më pak rol në politikë, por për sa kohë që pala tjetër luan, ne duhet të vazhdojmë ta bëjmë atë,” tha Alexander Soros për WSJ.

Nën udhëheqjen e tij, OSF do të vazhdojë në të njëjtën rrugë duke mbështetur demokracitë, figurat politike të së majtës amerikane, etj — por do të shtojë edhe synime të tjera, si avokimi për të drejtat e abortit dhe barazinë gjinore.

Alexander Soros u zgjodh kryetar i bordit të fondacionit në dhjetor dhe që atëherë ka drejtuar aktivitetet politike të rrjetit, të cilat janë përqendruar në “super PAC”, një skemë që dhuron fonde për fushatat zgjedhore të kandidatëve politikë.

Ai është i vetmi anëtar i familjes që është pjesë e komitetit të investimeve të Soros Fund Management, kompania që mbikëqyr shpërndarjen e burimeve, sipas WSJ.

Alexander Soros thotë se dëshiron të përfshihet në çështjet e SHBA-së më shumë sesa babai i tij. Ai mbështet programe që inkurajojnë votuesit hispanikë dhe zezakë të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar dhe u bën thirrje zyrtarëve të zgjedhur që i përkasin Partisë Demokratike të përmirësojnë komunikimin e tyre.

“Kampi ynë duhet të duket më patriotik dhe gjithëpërfshirës. Vetëm për shkak se dikush voton për Trumpin nuk do të thotë se është humbës apo racist”, shpjegon ai.

I njohur fillimisht për aktivitetet e tij investuese dhe fitimprurëse, George Soros i ka kushtuar paratë e tij për të mbrojtur idetë e tij, nga lufta kundër aparteidit në Afrikën e Jugut deri tek mbështetja e njerëzve që luftojnë për demokracinë në regjimet diktatoriale.