Gjykimi në mungesë për krime lufte, Blakaj: Nuk do të sjellë drejtësi për viktimat

Ngritja e aktakuzave për gjykimin në mungesë për ndëshkimin e kryesve të krimeve gjatë luftës në Kosovë, nuk pritet të prodhojë asnjë efekt juridik për të akuzuarit, por as drejtësi për viktimat.

Ky është vlerësimi që japin eskpertë të sistemit të drejtësisë dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut. Ndërsa, Prokuroria Speciale tashmë ka ngritur dy aktakuza për gjykim në mungesë për krime lufte.

Nga Fondi për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj konsideron se përkundër vështirësive që Prokuroria Speciale t’i sjellë para drejtësisë kryesit e krimeve të luftës, edhe gjykimi në mungesë nuk do të sjellë drejtësi për viktimat.

 “Prokuroria Speciale dhe Departamenti për Krime lufte nuk ka shumë zgjidhje për t’i proceduar të dyshuarit për krime lufte, meqenëse nuk ekziston ai bashkëpunimi në mes Serbisë dhe Kosovës, atëherë shumica dërrmuese e atyre që janë të dyshuar për krime lufte, nuk janë të qasshëm për organet e drejtësisë në Kosovë.”

Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi deklaron se gjykimi në mungesë ka aspekte pozitive në trajtimin e krimeve të luftës. Ai thekson se procedura e gjykimit në mungesë nuk mund të prodhojë efektivitet nëse dënimi i tyre fokusohet vetëm në këtë lloj gjykimi.

 “Në rastin konkret mund të shihet edhe si një aspekt deri diku pozitiv në raport me rastet e krimeve të luftës, prapë se prapë gjykimi në mungesë në vetvete nuk garanton trajtim adekuat të këtyre rasteve. Ne deri më tani e kemi një aktakuzë, mirëpo janë dy çështje e para është se gjykimi në mungesë nuk është një procedurë lehtë e aplikueshme nga ana e institucioneve të drejtësisë, si dhe në anën tjetër nuk mund të llogarisim në efektivitet nëse luftimi i krimeve të luftës, përkatësisht dënimi i tyre fokusohet vetëm në gjykimin në mungesë“, tha ai.

Në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë e masakruar mbi 13 mijë civil, dhunuar seksualisht 20 mijë gra e burra, ndërkaq ende mungojnë mbi 1600 persona të zhdukur me forcë.