​Situata në veri, Kurti në Bratisllavë: Kemi bashkëpunim me aleatët, por s’pajtohemi gjithmonë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar së njësitet speciale të Policisë së Kosovës do të vazhdojnë të qëndrojnë në komunat në veri, derisa para tyre të ketë struktura kriminale.

Në Forumim “Globsec 2023” në Bratisllavë të Sllovakisë, kreu qeveritar e mbrojti punën e Policisë së Kosovës, ndërkaq nënvizoi se nuk mund të qëndrojë vet në zyrë të kryeministrit dhe t’iu thotë kryetarëve të zgjedhur në katër komunat veriore të mos shkojnë në zyrat e tyre.

“Ka koordinim me aleatët por jo çdo herë pajtohemi për çdo gjë. P.sh, për sa i përket ndërtesave komunale, ato i përkasin Republikës së Kosovës. Mund të kuptoj se nuk mund të ketë shumë policë brenda apo para saj. Por para kësaj nuk duhet të ketë turmë të dhunshme jashtë dhe kemi parë se këta njerëz të dhunshëm që godasin me armë ndaj gazetarëve, KFOR-it dhe policisë… Por sa i përket këtyre komunave nuk mund të qëndroj në zyrën time si kryeministër dhe t’iu them kryetarëve në veri që nuk duhet të hyni në zyrat e juaja”, tha ai.

Ndryshe, serbët në veri kanë filluar protestën të premten (26 maj). Protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve.

Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.

Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.

Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.