Dështon lëshimi i satelitit spiun nga Koreja e Veriut

Përpjekja e Koresë së Veriut për të lëshuar një satelit dështoi, pasi raketa u rrëzua në det, sipas agjencisë koreano-veriore të lajmeve, KCNA.

Raketa që mbante satelitin zbulues ushtarak u rrëzua në brigjet perëndimore të Gadishullit Korean pas humbjes së shtytjes për shkak të ndezjes së gabuar të motorit të fazës së dytë.

Dështimi ishte për shkak të “besueshmërisë dhe stabilitetit të ulët” të një sistemi të ri motorik.

Shkencëtarët janë duke kërkuar për shkakun e dështimit.

”Një nisje e dytë do të provohet sa më shpejt të jetë e mundur”, raportoi KCNA.

Qeveria e SHBA-së e dënoi ashpër lëshimin.

“Ky lëshim i supozuar në hapësirë ​​përfshin teknologji që janë të lidhura drejtpërdrejt me programin ICBM të Koresë së Veriut”, deklaroi zëdhënësi i Komitetit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Adam Hodge.