Veliaj me Sulin në Kamëz: PS do bëjë shkolla e çerdhe dhe për fëmijët e demokratëve

Vota pro për socialistët në Kamëz për Erion Veliaj erdhi si pasojë e investimeve të bëra në katër vite. Në turin e takimeve ku ishte së bashku me homologun e tij Rakip Suli, kryebashkiaku i Tiranës theksoi se u mbështet projekti për të ardhmen e zonës.

 “Njerëzit në Kamëz nuk janë bërë detyrimisht socialistë, por kanë logjikë dhe nëse kanë parë që Rakipi ka bërë çerdhe, ku çojnë fëmijë të majtë dhe të djathtë, atëherë na duhen më shumë çerdhe dhe për sa kohë që Rakipi bën çerdhe të mira, na duhet të votojmë Rakipin.

Janë thjesht prindër të mirë, që duan më shumë çerdhe, më shumë kopshte si ato që di të bëjë Rakipi dhe Partia Socialiste. Nëse Rakipi provoi që në një mandat bëri një urë, që ne jo të na ndajë lumi, por të na bashkojë, atëherë kur të bëjmë shtatë ura, Tirana dhe Kamza do të jenë dy motra të pandara në zhvillim, në progres, në mirëqenie dhe në të gjithë projektet e bukura që ne kemi,” tha ai.

Por, nga ana tjetër, Veliaj tha se rezultati nuk duhet të shihet si triumfalizëm por si mundësi për të vijuar projektet

“Pyetja është: “Si sillemi me 30% tjetër?” Do të sillemi me përulësi dhe u themi atyre se vota për Partinë Socialiste do u shërbejë edhe demokratëve. Vota për Partinë Socialiste do bëjë kopshte e shkolla edhe për fëmijët e demokratëve. Unë besoj se kjo është mënyra e duhur për t’u kthyer, jo si triumfalistë. Nuk kemi mundur hasmin, nuk kemi mundur armikun, nuk e kemi nxjerrë jashtë pushtuesin," tha ai.

Edhe kryebashkiaku i Kamzës, Rakip Suli tha se këtë besim do ta kthejë me punë dhe se do jetë një shërbëtor i mirë për çdo qytetar.