Krimbi dëmton në masë të madhe gështënjën e Tropojës, kultivuesit: Presim ndërhyrje urgjente nga shteti!
Zona e Tropojës në veri të vendit njohet për prodhimin e madh dhe cilësor të gështenjës! Por vitet e fundit një krimb ka prekur pemët atje dhe ketë vit është shtuar në masë të madhe. Kultivuesit bëjnë thirrje për ndërhyrje emergjente, ose në të kundërt gështënjat mund të zhduken!
Rreth 2500 hektarë sipërfaqe janë të mbjellë me gështënja në Tropojë!
Tregu i jashtëm i sigurtë u sjell fitime të mëdha kultivuesve vendas atje.
Por, kohët e fundit fruti arror atje është prekur nga një krimb i quajtur Grerëza Aziatike,.
Këtë vit krimbi është masivizuar në pemët e gështënjës, ndërsa ka nisur duke tharë plotësisht ato!
“Ne jemi të ndikuar direkt në të ardhurat tona dhe të familjarëve tanë. Pra, ky insekt që është shfaqur tregon që 500 familjeve tropojane u mungojnë të ardhurat dhe të vetmet burime të sigurimit të jetesës për të mbajtur familjet. Vetëm këtë vit Tropojës do t’i mungojnë rreth 6.5 milionë euro që vijnë nga mjalti dhe prodhimi i frutit”, thotë një banor.
“Sivjet është shfaqur një sëmundje e re, e pakonstatuar më parë në këtë zonë. Bëhet fjalë për një insekt dëmtues shumë i vogël. Por me aftësi shumë të mëdha për të shkatërruar ekosistemin e gështenjës”, thotë banori tjetër.
Kultivuesit bëjnë thirrje për një ndërhyrje emergjente të institucioneve!
“I bëj thirrje Universitetit Bujqësor të Tiranës, Institutit të Pyjoreve, Akademisë së Shkencave, atyre profesorëve që kanë marrë grada shkencore dhe që sot rrinë në heshtje duke parë që ekonomia jonë po shkatërrohet”, apeloi banori.
“Gradualisht, për 5 deri në 7 vite pemët e rregullta dhe ato të reja me gjendje sanitare normale do të shkatërrohen. Prandaj duhet të merren masa dhe i kërkojmë ndihmë shtetit dhe qeverisë”, theksoi banori tjetër.
Nëse nuk do të ketë ndërhyrje vendasit thonë se brenda pak viteve gështenja mund të zhduket nga Tropoja!




