Grabitja më e madhe e artit/ Vodhën “thesarin” e Dresdenit, dënohet banda

5 persona u gjetën fajtorë dhe dënuan me burg për vjedhjen e bizhuterive me vlerë 113 milion euro në muzeun e Dresdenit në Gjermani. Vjedhja spektakolare ndodhi në vitin 2019.

5 persona u shpallën fajtorë për grabitjen e guximshme në muzeun Gjerman të Dresdenit, ku vodhën sende të çmuara me vlerë 113 milionë euro, shumica prej të cilave diamante, në nëntor të vitit 2019.

Ata u dënuan me me 4-6 vjet burg, ndërsa 1 nga të akuzuarit u shpall i pafajshëm.

Grabitja ishte e mirëorganizuar dhe u krye në orët epara të mëngjesit.

Fillimisht hajdutët fikën dritat e qytetit, thyen xhamin e vitrinës së muzeut duke levizur lirshëm nëpër korridoret e tij me vepra arti që nga shekulli i 18-të.

Morën 21 objekte të mbuluara nga diamantet, 1789 bizhuteri zbukuruar po ashtu me diamante të vegjël dhe të mëdhenj, që i përkisnin kohës së mbretit Frederick Augustus dhe vepra të tjera arti me shumë rëndësi.

Kjo nuk ishte hera e parë që ata kryenin një vjedhje të tillë, madje njiheshin për skenaret e frikshme.

Një nga hajdutët e Dresdenit ishte dënuar më parë për vjedhjen e një monedhe gjigande ari, me peshë 100 kg nga muzeu Bode i Berlinit në vitin 2017, e cila nuk u gjet kurrë.

Mes shumë perpjekjeve për t’i gjetur objektet e grabitura në muze, policia arriti të rikthente një pjesë prej tyre, megjithatë një numër i lartë rrezikon të mos gjenden.

Fatmirësisht një nga pjesët më të famshme të koleksionit, diamanti jeshil 41 karat i njohur si Dresden Green, nuk ndodhej në muze në momentin e grabitjes.