Serbia në zi pas tragjedisë, autori dërgohet në Psikiatri: Ishte nxënës Olimpiadash
Serbia ka vendosur 3 ditë zie për nder të 8 viktimave që ranë pre e plumbave të nxënësit 14-vjeçar. Në spital po luftohet ende për shpëtimin e dy minorenëve që kanë marrë plagë të rënda, ndërsa autori, i cili ishte nxënës Olimpiadash, është shtruar në psikiatri.
Një ditë pasi një 14-vjeçar vrau 8 shokët e klasës dhe rojen e sigurisë, Serbia është në zi.
Tragjedia mund të jetë edhe më e rëndë, pasi dy fëmijë tjerë janë në gjendje të rëndë në spital.
Mjekët shprehen se një prej 14 vjeçarëve është ende në rrezik për jetën, pasi ka marrë dy plumba një në kraharor dhe një në shtyllën kurrizore.
Të mërkurën ai iu nënshtrua dy operacioneve të vështira, teksa bluzat e bardha shtojnë se ende nuk mund të deklarojnë se u ka shpëtuar plagëve.
Ndërkaq nxënësi tjetër ka shfaqur shenja përmirësimi, duke dhënë më shumë shpresë se do ta kapërcejë gjendjen e rëndë pas plagëve me armë zjarri.
Sa i përket 5 të plagosurve të tjerë në shkollë, ata janë në gjendje të mirë.
Pranë shkollës ku 14-vjeçari qëlloi me armë fillimisht mbi mësuesen e Historisë, e më tej mbi nxënësit e tjerë, janë vendosur tufa me lule teksa familjarët dhe banorët mbartin dhimbjen e thellë.
Autori i ngjarjes së rëndë 14-vjeçar tashmë është transferuar në një spital psikiatrik.
Ndërsa duket se gjithçka ka nisur për shkak të një note në lëndën e Historisë. Vetë minoreni ka deklaruar se është psikopat ndaj kreu aktin e rëndë me armën e babait. Në pranga është vënë dhe i ati i tij.
Shokët e tij dhe mësuesit të traumatizuar nga vrasjet kanë shtuar se ai ishte një nxënës i shkëlqyer dhe fitues i Olimpiadave madje edhe një sportist shumë i mirë.
