Pasioni për zhytjen, Florjan Binaj zbulon katrahurën: Deti në jug i mbushur me goma, Ministria thotë mos përdorni qese
Përveçse aktor humori, piktor dhe moderator, Florjan Binaj është dhe një aktivist i zjarrtë në mbrojtje të mjedisit.
I apasionuar pas zhytjes në det, Binaj zbuloi për "Why Not" katrahurën që fshihet poshtë detit.
"Sot fatkeqësisht deti është plot me mbeturinat e njerëzimit, e zhvillimit, qytetërimit, industrializimit, e qarkullimit. Unë e kam pasur pasion që i vogël të zhytesha që të shihja çfarë ka në këtë botën blu dhe ka qenë gjithmonë një botë plot me peshq, krijesa të bukura. Kushdo që zhytej na tregonte gjëra përrallore të bukura, sot fatkeqësisht ka goma, ka hidrosanitare, dërrasa, ka dyer. Duhet të shkojnë dhe peshqit në tualetin e tyre.
Ka lloj-lloj mbetjesh që të vjen keq që i sheh. Ka shumë zona sidomos në jug të vendit që dikur ka pasur peshk pa fund, sot po të zhytesh gjen vetëm gropa nga dinamiti dhe asnjë peshk. Në një aksion në Himarë bashkë me çunat nga Saranda kemi nxjerrë 5% të gomave që pamë ne, deti në Himarë është e tejmbushur me goma. Ata që konsumojnë gomat i hedhin në përrenj, përrenjtë kur mbushen me ujë i çojnë në det. Është plot me goma që lëshojnë helme, kimikate dhe ngordhin peshqit dhe gjithë gjallesat e tjera.
Vjet në 30 tetor në Ksamil nxorëm 80 e ca goma dhe ishte hera e katërt që çunat shkonin aty bashkë me avokatin Adriatik Lapaj dhe ishte hera e katërt që nxirrnin po aq dhe ka ende të tjera. Ministria e Turizmit nuk bën asgjë. Kemi ca trupa lundrues që i bëjnë këta që marrin leje për të bërë hotele ose lokale në plazh dhe ata u vënë goma anash që mos të përplasen me shkëmbinjtë.
Gomat pasi kalbet rripi bien në det dhe ai nuk e pastron më këtë gjë dhe i vë goma të tjera. Ndërkohë Ministria vazhdon dhe jep leje për këtë gjë dhe të thotë ty mos përdor qese. A thua se qesja është i vetmi problem, është një nga… Një nga gjërat më shpeshta në det që shohim sa herë zhytemi janë pipëzat, që pi atë kanaçen dhe e hedh. Ndërsa tani janë përzierësit e kafes.Kjo pas 800 vitesh do të jetë prapë kështu nëse nuk do ta hanë peshqit dhe ne do marrim ata peshqit ti hapmë dhe do hamë dhe ne pastaj këtë plastikën".

