“Autobusi përdoret më shumë nga ju”, Belind Këlliçi prezanton programin për gratë dhe vajzat
Kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, shpalosi një program që prek drejtpërdrejt jetesën, kushtet sociale, arsimimin, ekonominë dhe karrierën e grave dhe vajzave në Tiranë.
Fillimisht, Këlliçi shprehu bindjen se me angazhimin e grave dhe vajzave në fushatë, në 14 maj do të rrëzohet modeli që është aktualisht në krye të bashkisë së Tiranës, për t`i hapur rrugë ndryshimit.
“Unë bashkë me ju të gjitha, zonja të nderuara të qytetit, do të guxojmë për të mposhtur një model siç është ky modeli që kemi sot në krye të bashkisë Tiranë. Besoj fort që rezultati në 14 maj do të jetë surprizues për shkak të angazhimit të grave në Tiranë, që i shoh kudo me buzëqeshje, më kanë pritur shumë mirë” - u shpreh Belind Këlliçi.
Këlliçi foli për projektin e tij duke nisur nga transporti publik falas. Sipas tij, aktualisht gratë dhe vajzat janë përdorueset më të shumta të urbanëve në kryeqytet, për këtë arsye, ai tha se ato do të jenë dhe përfitueset më të mëdha të transportit publik falas.
“Unë mendoj se duke investuar në këtë drejtim, duke u subvencionuar biletën, duke u paguar transportin publik të gjithë qytetarëve, por grave mbi të gjitha, duke bërë të mundur modernizimin e flotës, duke modernizuar stacionet e autobusit, që ju sot shkoni dhe nuk keni as edhe një tabelë orari. As edhe një tregues se kur vjen autobusi dhe kur ikën. Duhet ta dini se mbi bazën e të dhënave që kemi marrë, janë më të shumta frekuentuese gratë se sa meshkujt të transportit publik. Pra më shumë zonja dhe zonjusha, femra dhe gra në Tiranë e marrin transportin publik. Unë mendoj se kjo ndërhyrje është një zgjidhje perfekte për gratë e qytetit të Tiranës”-u shpreh Këlliçi.
Belind Këlliçi, deklaroi se për angazhimin e tij të dytë më të madh, zgjidhjen e problemit të trafikut me nënkalimin te “Sheshi Skënderbej”, gratë kanë qenë shtysa e tij kryesore.
Një tjetër angazhim i Belind Këlliçit për Tiranën, që prek drejtpërdrejtë nënat me fëmijë por edhe vajzat e reja, është ai për asimin. Tregoi me detaje se si ndërtimi i kopshteve, shkollave dhe çerdheve, do t’i japë zgjidhje shumë shqetësimeve që kanë sot familjet në Tiranë, në lidhje me fëmijët e tyre.
“Fokusi im kryesor do të jetë përdorimi i taksës së strehimit social prej 3% në dy vitetet e para për të ndërtuar çerdhe dhe kopshte në çdo njësi të Tiranës, në mënyrë që të akomodohen të gjithë fëmijët e Tiranës. Kuponin për çerdhet apo për kopshtet private. Për çdo fëmijë që nuk regjistrohet dot në institucionet publike, bashkia e Tiranës do t’i japë 100 mijë lekë në muaj. 8% që merret nga lejet e ndërtimit do të përdoret për të ndërtuar mjaftueshëm shkolla, në mënyrë që të marrë fund histeria kolektive e klasave me nga 40 fëmijë. Gjithashtu pika e katërët që lidhet me këto, është programi pas shkollave, për t’u krijuar fëmijëve një sërë veprimtarisht të ndryshme mësimore, sportive dhe artistike”-tha Belind Këlliçi.
Duke vijuar në këtë linjë, Belind Këlliçi shtoi se ai do të nxisë dhe ndihmojë në përmirësimin e statusit social të grave në shoqëri. Për këtë gjë, Belind Këlliçi u shpreh se për vajzat e talentuara do të ketë bursa të posaçme.
Gjatë takimit me gratë, Belind Këlliçi nuk la pa përmendur situatën me korrupsionin në bashkinë e Tiranës, ku sipas tij, pas 14 majit këtij fenomeni do t`i shpallë luftë pa kompromis.
