Të rinjtë që po vrasin, sociologu: Të përfshirë në krime adoleshentë të paformuar, është dobësuar roli i shkollës e familjes
Sociologët i shohin me shqetësim konfliktet e shtuara mes të rinjve që kanë përfunduar me të lënduar apo viktima. Zyhdi Dervishi sjelljen agresive të të rinjve e lidh me frymën e përgjithshme të shoqërisë, dobësimin e rolit të shkollës dhe familjes.
Në më pak se tre javë, në konflikte ku janë përfshirë të rinj të cilët kanë përdorur armë apo thikë janë plagosur 7 persona e 1 ka humbur jetën.
Agresivitetin ndër të rinj sociologët e shohin të lidhur ngushtësisht me frymën që dominon në shoqërinë shqiptare.
"Shoqëria shqiptare sot po përjeton një situatë shumë të rëndë, duke filluar nga parlamenti. Përjeton një situatë ku njerëzit dhe kriminelët bëhen të famshëm për një kohë të shkurtër. Madje shpesh është krijuar bindja se adoleshentët jo të mirëformuar mund të bëhet shpesh i njohur po ta angazhosh në krime të rrezikshme. Kjo është problematike," tha Dervishi.
Roli i shkollës është dobësuar thotë Profesor Zyhdi Dervishi i cili ngre zërin për angazhimin e fëmijëve në më shumë aktivitete.
"Për mua nuk është çelësi ti ndjekim me polici nxënësit, por të organizojmë aktivitete kulturor, artistike të shumëanshme, që të jenë të angazhuar dhe pranë njëri-tjetrit," tha ai.
Familja po ashtu lipset të bëjë më shumë. Nënat këshillon profesori kanë rol kyç në rritjen e edukimin e fëmijëve andaj duhen ndërmarrë politika mbështetëse ndaj tyre.
"Shoqëria shqiptare ka për detyrë që nga nëna, pasi lindin deri ën tre vjet pas lindjes të paguajmë një pagë të plotë për të qëndruar në shtëpi. Një fëmijë që rritet nga nëna tre vitet e para unë kam bindjen do të jetë një fëmijë më i shëndetshëm nga pikëpamja shëndetësire, fizike, psikologjike.
Ndoshta ka ardhur koha që nënat të punojnë 6 orë në ditë e të paguhen 8 orë," tha ai.
Agresiv edhe nga përdorimi i rrjeteve sociale.
"Ndikojnë shumë, kanë krijuar një frymë vulgariteti dhe jeta nuk ka më atë elegancën, bukurinë, fisnikmërinë dhe romantizmit. Pra si i fyeri dhe fyesi duken në gjendje normale, " tha ai.
Profesor Zyhdi Dervishi thekson nevojën për realizimin e një studimi që do të mund t'i japë përgjigje pyetjes përse shqiptarët kanë sjellje agresive. Gjetjet thotë ai do të mund të na çonin edhe te zgjidhjet.