30 vite në muzikë mbushur me çmime, Aurela Gaçe: Nëse jam mjeshtre në veshët e dikujt, kjo është kupa!
“Unike… me taban”. Pas 30 viteve në skenë, Aurela Gaçe befasoi këtë vit publikun që e ndjek me besnikëri prej vitesh me talentin dhe energjinë e saj, ashtu si dhe ky album ‘binjakë’ që siç thotë ajo vjen 2 në 1.
"Tabani është shoqërues në çdo moment timin, në çdo lloj rryme muzikore që notoj kthehem përsëri te rrënjët".
Në gjithë këtë rrugëtim, Gaçe tregon për "Why Not" se ka dhënë shumë por edhe ka marrë mbrapsht vlerësime.
Pesë vite më parë u dekorua me titullin "Mjeshtër i Madh" nga presidenti i vendit asokohe, i ndjeri Bujar Nishani, një fakt ky jo shumë i njohur për publikun.
"Nuk e them unë, e kam marrë para pesë vitesh. Nëse jam në veshët e dikujt mjeshtre kaq më mjafton. Jam mësuar me kupat e festivaleve, i kam marrë, sigurisht që për momentin ti gëzon se shijon fitoren por e nesërmja është prapë punë dhe nëse njerëzit të duan për diçka, nuk të duan se ti ke fituar një kupë ose një çmim, të duan për atë që ti i bën të ndjejnë. Nëse unë arrij të përcjell diçka te ajo vajza që mund të jetë 16 vjeçe psh, për mua ai është çmimi më i madh, ajo është kupa."
