Kryeministër, riktheje Ardianin tek Pelikani Kaçurrel dhe mbështete t’i shërbejë natyrës
Nuk ndodh shpesh që ekzistenca e një vendi të mirë e të bukur ti dedikohet një njeriu. Dhe kjo ka ndodhur me Parkun Natyror Divjakë-Karavasta. Falë punës dhe përkushtimit të Ardian Koçit dhe stafit të tij të mrekullueshëm që punon në këtë park prej më shumë se 10 vjetësh, Divjaka u bë një destinacion turistik dhe parku një nga më të mirët në vend. U kthyen zgjodhjë dhe Pelikani i famshëm Kaçurrel, që kishte marrë arratinë bashkë me njerëzit pas vitit 1997. U ndaluan gjahtarët që eglendiseshim, duke vrarë shpendët e rrallë dhe parku u shndërrua në një zonë realisht e mbrojtur.
Të gjithë ata që vizitojnë parkun e njohin Xhonin, Pelikanin Kaçurrel që nuk fluturon dot pasi është i dëmtuar në krah dhe u shpëtua në spitalin e shpendëve. Ardiani e mban atë në oborrin e zyrave të administratës dhe e ushqen me peshk. Ai është mikpritësi i të gjithë turistëve që i bëjnë fotografi. Ardianin e gjeje aty edhe të shtunën e të djelën. Me lopatë në dorë duke mbjellë pemë në dimër, e duke punuar kundër zjarreve në verë…..
Por, këtë Ardianin, pak ditë më parë e pushuan nga puna.
Drejtoresha e Zonave të Mbrojtura, që është nën varësinë e Ministrisë së Mjedisit, e pushoi sepse kishte dhënë një interviste tek VOA për turizmin në këtë park, pa marrë leje tek ajo. Ky është një justifikim idiot, pasi Ardiani ka dhënë dhjetëra intervista, ka bashkëpunuar në realizimin e dhjetëra dokumentarëve televizivë, brenda e jashtë vendit, për jetën e egër në këtë park, duke e promovuar atë në mënyrë fantastike.
Fola me Ardianin për të mësuar më shumë.
“Me thërritën edhe më parë dhe më thanë se unë postoja foto dhe shkruaja në Facebook-un tim për parkun pa leje. Më thanë se duhet t’ia dërgoja fotot zyrës së shtypit dhe ta postonin ata. Sepse diku unë kisha shprehur edhe një pakënaqësi. Por unë vazhdova të postoja”…
Mendoj se ky është shkaku i shkarkimit tënd Ardian.
Ti nuk duhet të postosh foto të bukura me zogj e pelikanë, me bretkosa, dhelpra, peshq, lule apo duke mbjellë pemë. Ti duhet ti bësh këto foto e t’ia dërgosh zyrës së shtypit të ministres, dhe i poston ajo. Ndërsa t’i dhe kolegët e tu duhet që pastaj postimeve të shefes ti bësh “Share” dhe “Like”, si dhe poshtë çdo postimi të shkruani: Bravo, jeni më e mira!
Z. Kryeministër!
Parku i Divjakës është sot ashtu siç është falë punës dhe përkushtimit të Ardianit dhe kolegëve të tij, falë dashurisë së tij për natyrën, kafshët dhe zogjtë. Ajo drejtoresha apo ministrja që kërkon foto për rubrikën “Photo of the day”, të paguajë një njeri që të rrijë në park për të bërë vetë foto për fb dhe Instagram, dhe ta lënë Ardianin të punojë.
Lëreni dhe mbështeteni. Dërgojini punëtorë, dhe të mos ia mbushin organikën me miq e aktivistë nga Tirana që nuk shkojnë are në punë e nuk e dinë nga bie Divjaka.
Është fat të kemi njerëz të tillë kaq adhurues e të përkushtuar ndaj punës që bëjnë. Të drejtosh një park natyror nuk është njësoj si të drejtosh një drejtori në Tiranë. Parku kërkon ta duash natyrën, pemët, shpendët, kafshët. Ndryshe nuk i shërben dot.
